Pritet rritje të çmimit të energjisë elektrike nga prilli – Shkak konsumi i lartë, kostot e transmisionit dhe varësia nga importet
January 12, 2026

Pakënaqësi të mëdha u raportuan për faturat e muajit të fundit të vitit të kaluar. Shumë qytetarë i publikuan ato në rrjetet sociale.
Dhjetorin e vitit 2024, në këtë faturë janë harxhuar 2,298 kWh teksa në të njëjtin muaj një vit më vonë, 3,570 kWh, që i bije 1,272 kWh më shumë apo 55% shpenzime më të mëdha të energji.
Fatura në këtë rast nuk është 55% më e lartë, por është 110% më e lartë apo për 162€ më shumë.
Ankesa nga qytetarët kanë pas edhe për dallime drastike të faturave nga nëntori në dhjetor të 2025.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarë e Kosovës, të cilët raportojnë se faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor janë mbi 70% më të larta krahasuar me muajin paraprak.
Qytetarët ankohen për faturim deri në 70% më të lartë të energjisë elektrike
“KMDLNj vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, KESCO e përjashton mundësinë e rritjes së cmimeve, por vetëm deri në fund-mars. Por, nuk e përjashton nga 1 prilli, kur edhe ZRRE do të analizoi faturat.
“Për të shmangur keqkuptimet, duhet theksuar qartë se tarifat aktuale janë në fuqi deri më 31 mars 2026, ashtu siç përcaktohet në vendimin tarifor të miratuar nga ZRRE-ja. ZRRE-ja nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga KEDS/KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave në muajin dhjetor. Çdo pretendim për rritje tarifash në këtë periudhë është spekulim dhe nuk mbështetet në ndonjë proces të hapur apo vendim rregullator. Sipas kornizës rregullative në fuqi, viti tarifor në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë fillon më 1 prill. Vendosja dhe rishikimi i tarifave është kompetencë ekskluzive e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila i përcakton ato në përputhje me procedurat dhe analizat e saj të rregullta”, tha zëdhënësja e KESCO, Margarita Rashiti.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi është i bindur se rritje do të ketë nga 1 prilli.
“eri tash ata që janë akterë as KEDS as KESCO as KOSTT nuk kanë kërkuar që me pas rritej të parakohshme para procesit vjetor. Kështu që edhe ZRRE nuk është që do t’i rrit tarifat për arsye se ata nuk kanë kërkuar të rriten e dhe kjo gjithashtu mund të lidhet me procesin zgjedhor…Edhe tash rryma do të shtrenjtohet, por do të shtrenjtohet prej 1 prillit”, theksoi Ejupi.
Ai beson që mos investimi në shtim të kapaciteteve energjetike, rritja e konsumit, por edhe tregtimi i energjisë do jenë faktor që do të ndikojnë në rritje të çmimit nga prilli.
Duke pas parasysh konsumi që po rritet për arsye se nuk ka ndonjë alternativ viteve të fundit për ngrohje dhe qytetarët të vetmen alternativë për ngrohje besoj duke e pas energjinë elektrike. Gjithashtu konsumi nga termocentralet ka rënë sivjet për arsye të disa riparimeve dhe disa prishjeve që i kanë pasur termocentralet, çmimi i importit nuk është që është rritur në krahasim me vitet e kaluara…Jemi duke e paguar transportin e energjisë elektrike prapë shumë të lartë dhe krejt këto kur i mbledhim besoj se do të kemi prapë rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026”, thotë Ejupi.
Pritet reagim nga qytetarët rreth shtenjtimit të energjisë
Rritja e çmimit të energjisë elektrike po ka ndikim të menjëherëshëm te shporta e qytetarëve.
Luan Hasanaj nga grupi “Asnjë cent më shumë“, thotë se shqyrtimi i organizimit të protestave është i pashmangshëm në rast të shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike.
“I vetmi mekanizëm që ne si shoqëri civile dhe qytetarë aktiv që mund ta bëjmë janë ngritja e zërit për t’i kundërshtuar këto vendime të dëmshme, sigurisht që do t’i shqyrtojmë përsëri organizimin e protestave. Pra, nuk do të ndalemi sepse konsiderojmë që nëse kjo rritje e tarifave të energjisë nuk shoqërohet me përmirësim të mirëqenies që nga rritja e pagave e politikave të tjera që favorizojnë qytetarin. Ky vend dita ditës po bëhet më pak i jetueshëm”, deklaroi Hasanaj.
Më 16 prill 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike vendosi që të rrisë tarifat e energjisë elektrike për 16.1%.
Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike u kundërshtua nga qytetarët dhe shoqëria civile, përmes organizimit të protestave. Kundër këtij vendimi u rreshtuar edhe presidentja, Vjosa Osmani, derisa Avokati i Popullit kërkoi pezullimin e vendimit.
/KosovaPress