Presidenca kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike – Qeveria propozon shpërndarjen e barrës
April 01, 2025

Presidenca e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend. Kurse Qeveria aktuale del me propozim për mbrojtjen e amvisërisë.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
“Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, kundërshtimin e energjisë elektrike e kanë bërë edhe Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset, shoqëria civile etj.
Në përgjigje, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Kosovës kanë analizuar raportet dhe kanë dorëzuar komentet e tyre në konsultimin publik, duke u fokusuar në zvogëlimin e rritjes së tarifave dhe shpërndarjen më të drejtë të barrës tek konsumatorët.
Në propozimin e saj, Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që rritja e çmimeve të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të krijohen më shumë blloqe tarifore për konsumatorët me shpenzim të lartë të energjisë elektrike.
Në komunikatën e saj, Ministria ka siguruar qytetarët se po ndërmerr çdo veprim të mundshëm për të kufizuar ndikimin e tarifave të reja.
Sipas saj, disa faktorë të brendshëm kanë ndihmuar në uljen e presionit mbi çmimet, përfshirë stabilitetin e çmimit të energjisë nga KEK-u, uljen e importit të energjisë dhe investimet në efiçiencë energjetike.
Megjithatë, rritja e propozuar e tarifave lidhet me faktorë të tjerë, si çmimet e larta të importit dhe investimet e domosdoshme në rehabilitimin e Termocentralit Kosova B.
Investimet e planifikuara synojnë të rrisin kapacitetin gjenerues, të ulin ndotjen dhe të zvogëlojnë varësinë nga importet e shtrenjta të energjisë.
Qeveria ka theksuar se modernizimi i sistemit energjetik është një proces afatgjatë që do të sjellë përfitime të qëndrueshme për ekonominë dhe qytetarët. Në këtë drejtim, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, janë realizuar investime prej mbi 35 milionë euro në efiçiencë të energjisë dhe do të vazhdojnë investimet në burime të reja të qëndrueshme, si energjia diellore dhe e erës.
/Telegrafi