Pezullohet tenderi 137 milionësh i KEK-ut një ditë para afatit përfundimtar për dorzimin e ofertave
July 07, 2025

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka njoftuar se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” është pezulluar përkohësisht si pasojë e një ankese të paraqitur në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
KEK thekson se pezullimi është një procedurë standarde ligjore që aktivizohet automatikisht sipas Ligjit për Prokurimin Publik, sa herë që një operator ekonomik paraqet ankesë në OSHP.
“Ky nuk është as rasti i parë, as i fundit i pezullimit të përkohshëm për arsye procedurale”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, më 2 korrik 2025, Zyrtari i Prokurimit ka dorëzuar kërkesën për heqjen e pezullimit në OSHP, duke u bazuar në nenin 112 të Ligjit për Prokurimin.
Korporata thekson se ankesa është e pabazuar, dhe këtë e mbështet edhe raporti i Ekspertit Shqyrtues i OSHP-së, i cili ka rekomanduar refuzimin e saj si të palejuar.
KEK rithekson përkushtimin për zhvillimin transparent dhe të drejtë të këtij projekti me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike të vendit. Procesi është mbështetur nga ekspertë të brendshëm dhe konsulencë nga USAID, me dokumentacion të hartuar sipas standardeve ndërkombëtare.
“Apelojmë që të gjitha palët të shmangin dezinformatat dhe të kontribuojnë në një debat të bazuar në fakte, transparencë dhe ligjshmëri”, përfundon njoftimi i KEK-ut.
Ndryshe pezullimi i tenderit për rehabilitimin e Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A ka nxitur një përplasje verbale mes deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Bajrami ka akuzuar publikisht KEK-un për zhvillimin e një procedure të dyshimtë tenderimi, me vlerë 137 milionë euro, vetëm një ditë para afatit përfundimtar të dorëzimit të ofertave.
Sipas saj, tenderi është karakterizuar nga mungesë transparence dhe kritere të manipuluara, duke ngritur dyshime për një skemë të mundshme korruptive.
“Pezullimi nuk duket si veprim përgjegjës, por si manovër për të mbuluar një aferë që mund të përfundojë me përfitues të dyshimtë”, shkroi Bajrami, duke kërkuar anulimin e plotë të tenderit dhe hetime të thelluara.
Ndërkohë, ministri Murati e cilësoi reagimin e Bajramit si pjesë të një fushate për të penguar rritjen e kapaciteteve gjeneruese të KEK-ut.
Ai tha se opozita sistematikisht sulmon çdo përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës energjetike.
“Sot, Hykmetja i është gëzuar pezullimit, duke e konsideruar si fitore. Por e vërteta është që me çdo bllokim të tillë, vetëm sa vonohet rikuperimi i kapaciteteve vendore dhe forcohet monopoli i tregtarëve të energjisë”, shkroi Murati.
/Telegrafi