Search

Petkoviq: Vallaçi është serb, nuk ka kontratë për kthim të borxhit për serbët në veri

22 Qershor, 2022


Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka deklaruar sot për RTS-në se “nuk bëhet fjalë se i kujt është nënstacioni i Valaçit, dhe se ai është serb, siç është edhe kompania Elektrosever”.

Ai tregoi gjithashtu një letër për të cilën pretendon se është nga Miroslav Lajçaku në të cilën ai shkruan se “Elektrosever do të jetë përgjithmonë i pranishëm në Vallaç”.

“Përveç udhërrëfyesit kemi edhe dy dokumente, pra një letër nga Miroslav Lajçaku në të cilën thuhet se Elektrosever do të jetë i përhershëm në Valaç, kjo ishte vija jonë e kuqe. Me këtë shkresë dhe garanci i është njohur statusi operatorit Elektrosever, punëtorët e tij do të jenë përgjithmonë të pranishëm në Valaç, që do të thotë se askush nuk mund të hyjë në Valaç. Askush nuk mund ta marrë Valaçin. Elektrosever është përgjithmonë prezent në Valaç dhe vetëm bashkë me të KOSTT-i dhe KEDS-i si operatorë mund të kenë qasje në Valaç”, ka thënë Petkoviq, transmeton Paparaci.

Sipas fjalëve të tij, kompania serbe Elektrosever do të ofrojë shërbime të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe “energjia elektrike do të mund të dërgohet sërish nga Serbia në veri të Kosovës”.

Sa i përket komenteve në Kosovë se ka borxhe për energjinë elektrike të konsumuar në veri, Petkoviq ka thënë se kur nuk ka detyrim kontraktual, atëherë nuk ka as borxhe.

Në Bruksel, Kosova dhe Serbia të martën miratuan udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në veri të Kosovës.

Dy shtetet miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri. Marrëveshje ishte arritur qysh më 2013, por s’ishte zbatuar. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë.

Me marrëveshje parashihet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë furnizimi te “Elektroseveri”, i cili do të merret me operimin në katër komunat në veri.

Nënstacioni në Vallaç

Nënstacioni elektrik në Vallaç është aset i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), por nën kontroll të serbëve në veri. Nga ky nënstacion furnizohen me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës si dhe hidrocentrali i Ujmanit.

Duke qenë se është afër sistemeve të largpërçuesve të Serbisë, ky nënstacion ka një rëndësi të veçantë për KSOTT, sepse aty bëhen matjet e energjisë që hyn dhe del nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, si dhe bëhen operacionet e ndryshme teknike me largpërçues.

KOSTT e ka një sistem digjital për matje dhe operacione nga distanca, që komandohet nga qendra komanduese në Prishtinë ose nga qendra rezerve (backup) në Kosova B.

Mirëpo nënstacioni i Vallaqit nuk është i përfshirë në këtë sistem digjital për arsye të refuzimit të personelit që operon nën-staciononin në Vallaq.

Kosova duke mos e kontrolluar këtë nënstacion, nuk kontrollon dot futjen dhe daljen e rrymës nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Punëtorët e këtij nënstacioni, si në të gjitha nënstacionet 110/35 kV, janë punëtorë të KOSTT-it. por, ky institucion nuk i paguan ata. Këta punëtorët aktualisht paguhen nga Rrjeti Elektrik i Serbisë.

Vitin e kaluar presidenti i Serbisë, kishte dalur me kërcënime publike për Kosovën nëse provohet që të merret nga institucionet e vendit ky nënstacion.