Search

Për t’i “mbushur bateritë”, Kosovës i duhen kapacitete të reja prodhuese

02 Maj, 2024


Pas nisjes zyrtare të programit Kompakt me Korporatën e Sfidave së Mijëvjeçarit – MCC, Kosova ka pesë vjet për të finalizuar projektin në vlerë 236 milionë dollarë, të fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike.

Me instalimin e baterive me kapacitet deri në 340 megavatë/orë, Qeveria synon të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtërishme në sistem.

Statistikat e fillim-vitit tregojnë se vetëm rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm, i përket asaj që cilësohet energji e pastër – nga dielli, era apo uji – derisa termocentralet me qymyr mbesin dominante.

Në vlerësimin e njohësit Lulzim Syla, projekti i baterive është nga më të mirët në sektorin e energjisë pas luftës.

Por, duke përmendur ankandin tashmë të mbyllur për parkun solar, atë me erë në proces, si dhe projekt-planet e KEK-ut dhe Termokosit, ai theksoi nevojën për shtim në kapaciteteve të reja prodhuese për t’ua rritur rëndësinë baterive.

“Përveç kapaciteteve ekzistuese të termocentraleve dhe burimeve të ripërtërishme, për t’i dhënë një vlerë të shtuar këtij projekti të rëndësishëm, do të ishte shumë me rëndësi të ndiqet zbatimi i strategjisë së energjisë 2031, e që parasheh implementimin e 1500 megavatë të burimeve të ripërtërishme”, tha Syla.

Pasi sqaroi koeficientin e prodhimit të burimeve të ripërtërishme, Syla tha se sfidë mbetet përcaktimi për të zgjedhur ndërmjet riparimit të termocentraleve, mbylljes së tyre apo ndërtimin e kapaciteteve të reja.

“Ndoshta prapë edhe pas implementimit të 1500 megavatëve, do të dominojë energjia elektrike që fitohet nga energjia termike përmes qymyrit në Kosovë. Por, mbetet që edhe nga ana e institucioneve qeveritare, në bashkëpunim me bizneset dhe shoqërinë civile, që të gjejmë një rrugëtim të saktë se cili do të jetë vizioni ynë për një energji të pastër, që edhe pas vitit 2030, 2035, 2040, ta shohim perspektivën e saktë se cili do të jetë mozaiku i përgjithshëm të energjisë”, tha Syla.

Në muajin Mars, Qeveria themeloi Korporatën për Ruajtjen e Energjisë e cila do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë bateritë.

Përveç sistemit të ruajtjes së energjisë, programi Kompakt parasheh investime në rritjen e resurseve njerëzore në këtë sektor, si dhe mbështetjen e bizneseve.