Search

Pavarësisht krizës energjetike, Belgjika mbyll reaktorin bërthamor

23 Shtator, 2022


Belgjika më 23 shtator ka vazhduar me planin për të mbyllur një reaktor bërthamor, pavarësisht thirrjeve që ta rimendojë këtë vendim për shkak të frikës se mund të ketë reduktime të rrymës gjatë këtij dimri.

E gjendur midis Francës, që varet nga energjia bërthamore dhe Gjermanisë të varur nga gazi dhe qymyri, Belgjika varet për gjysmën e kërkesës së saj për rrymë nga shtatë reaktorë të vjetruar bërthamorë që operohen nga Engie, kompani franceze.

Mbyllja e një prej katër reaktorëve në centralin Doel, në afërsi të Antverpit, është hapi i parë i vendimit të vitit 2003 që shteti të heqë dorë krejtësisht nga reaktorët bërthamorë deri në vitit 2025.

Në shkurt, edhe një reaktor në centralin në Tihang, 50 kilometra larg kufirit me Gjermaninë, u mbyll, pasi për dekada me radhë aktivistët kanë kërkuar që Gjermania të ndalë prodhimin e energjisë përmes centraleve bërthamore.

Te të dy këta reaktorë më 2012 u gjet se ka disa vrima në disa njësi, që detyroi autoritetet t’i hiqnin jashtë përdorimit.

Gjatë këtij muaji është nxitur një krizë politike pasi ministrja e Brendshme, Annelies Verlinden, kërkoi që të shtyhej mbyllja e reaktorëve, duke shkaktuar zemërim në Partinë e Gjelbër.

Të Gjelbërit e kishin vendosur si kusht heqjen dorë nga centralet bërthamore kur iu bashkuan koalicionit qeverisës më 2020.

Kërkesa e Verlinden u bë në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës dhe ndërprerjeve të furnizimeve me energji për Evropën, që kanë rritur frikën se kontinenti do të përballet me reduktime të energjisë në muajt e ardhshëm.

Për më tepër, Franca po ashtu ka rrezik që të përballet me reduktime të rrymës, pasi gjysma e reaktorëve bërthamor të vendit po i nënshtrohen mirëmbajtjes.

“Me rrezikun e reduktimeve në Francë gjatë dimrit, me Gjermaninë që po largohet nga energjia bërthamore pavarësisht se po i mbarojnë furnizimet me gaz, ne e dimë se do të përballemi me sfida të mëdha”, tha ish-ministrja belge e Energjisë, Marie-Christine Marghem.

Partia e saj, që po ashtu është pjesë e koalicionit qeverisës, po ashtu ka kërkuar që vendi të heqë dorë nga energjia bërthamore.

Megjithatë, operatorja shtetërore e energjisë në Belgjikë, Elia, tha se nuk pret që të ketë rrezik të furnizimeve.

“Ne kemi kapacitete të mjaftueshme gjeneruese të energjisë për të mbuluar kërkesat”, tha një zëdhënës i Elias.

Qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, kriza energjetike në Evropë është përkeqësuar, teksa evropianët pritet që gjatë këtij dimrit të paguajnë fatura më të shtrenjta për energji dhe disa vende kanë paralajmëruar se mund të ketë reduktime.

/REL