Search

Pasiguri dhe çmime të larta në treg: Prokuroria Speciale po heton çështjen e energjisë elektrike në vend

October 28, 2025


Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se në fillim të muajit ka dhënë dëshminë e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës, që sipas saj po heton çështjen e energjisë elektrike.

Bajrami në një postim për media shkruan se gjatë këtij mandati çmimi i energjisë elektrike u dyfishua për familjet dhe u trefishua për bizneset, por siç thotë ajo ka një lajm të mirë se çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Qytetarët këto ditë po marrin faturat e energjisë elektrike, fatura që po varfëron buxhetin e secilës familje. Tetori s’ka qenë aspak i ftohtë, por secili prej tyre tashmë brengoset: sa do të jetë fatura në nëntor, dhjetor e janar? Mos harroni kurrë: Gjatë këtij mandati, çmimi i energjisë elektrike u dyfishua për familjet dhe u trefishua për bizneset.

Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë, u rritën edhe çmimet e çdo produkti vendor dhe kjo hapi rrugën për rritjen e çmimeve të importeve. Kjo është dhurata e drejtpërdrejtë e politikave të Kurtit, politikë që pasuron disa dhe po varfëron secilën familje në Kosovë” është shpehur në postimin e saj, deputetja Bajrami.

/Telegrafi