Search

Pas paralajmërimeve për rritjes së energjisë reagojnë partitë politike

January 30, 2026


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si përfitim për, siç tha ajo, “mafinë energjetike”, në kurriz të qytetarëve.

Në një reagim publik, Bajrami ka deklaruar se rritja e fitimeve të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat e qytetarëve, ndërsa kërkesa e fundit e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë, sipas saj, nuk është as e vetmja dhe as përfundimtare.

Ajo ka theksuar se kërkesa për rritje çmimi, sipas informatave të saj, kanë bërë edhe operatorë të tjerë të sektorit energjetik, përfshirë KEDS-in, KOSTT-in dhe KEK-un.

Deputetja e LDK-së ka rikujtuar edhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti para ardhjes në pushtet, kur, sipas saj, ai kishte deklaruar se energjia do të lirohej, pasi Kosova, siç ishte thënë atëherë, qëndron mbi burime të mëdha energjetike.

Bajrami ka paralajmëruar se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike ka efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve bazë.

Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ për qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi.

Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe politikat sociale të Qeverisë, duke deklaruar se ndihmat financiare si 100€ në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, fëmijë, të moshuar dhe studentë, nuk janë rezultat i zhvillimit ekonomik, por pasojë e varfërimit të qytetarëve.

Në fund, deputetja e LDK-së ka bërë thirrje që qytetarët të reagojnë kundër çdo vendimi që ajo e cilëson si të padrejtë nga institucionet publike dhe Qeveria.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj paralajmërimeve për një rritje të re të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në një kohë kur qytetarët tanë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend.

“Shumë familje në vendin tonë tashmë janë në kufijtë e mbijetesës financiare, ndërsa ky vendim do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së tyre. Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët tanë. Energjia elektrike është një nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se për këto arsye, PDK-ja kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me angazhimin e saj për zbardhjen e aferave në sektorin e energjisë, për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga politika që rëndojnë jetën e tyre të përditshme.

/Telegrafi