Search

Opozita kritikon qeverinë për krizën energjetike

08 Dhjetor, 2022


Sot deputetët në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës diskutuan për krizën energjetike, si dhe miratuan zgjatjen e masave emergjente për energjinë.

Para votimit, përfaqësues të opozitës kritikuan Qeverinë e Kosovës për mosmenaxhimin me krizën energjetike në vend.

Në fjalimin e tij në Kuvend, Besian Mustafa nga Grupi Parlamentar i LDK-së tha se veprimi i Qeverisë karshi kësaj situate është rrudhja e supeve për të thënë ‘skem çka bëjmë’.

“Dhe natyrisht ndoshi ajo që e pritëm ë gjithë ne në Kosovë dhe e gjithë bota dhe erdhi kriza energjetike. Ne nuk po ju fajësojmë për krizën energjetike globale, por po ju fajësojmë për krizën total në Kosovë. Natyrisht edhe Evropa po ballafaqohet me këtë krizë energjetike por secila Qeveri në Evropë ka ndërrmarë masa për të zbutur këtë krizë për qytetarët e saj, me përjashtim një Qeveri në gjithë kontinentin evropian, Qeveria e Republikës së Kosovës e cila qe një vit e pak më shumë të vetmin veprim që e ka marrë sa i përket menaxhimit të krizës energjetike në Kosovë është rrudhja e supeve për të thënë skem çka bëjmë”, tha ai.

Në seancë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se e gjithë ajo se çfarë kuptuan në seancën e Kuvendit të Kosovës është se nuk ka ndryshim të gjendjes në tregun energjetik.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë hap tjetër përpos atij për shpalljen e gjendjes emergjente.

“Unë pajtohem që nuk ka ndryshim të gjendjes në tregun energjetik por nuk ka ndryshim as të menaxhimit. Neni 25 i cili po keqpërdoret i ligjit për energji e jep mundësinë e shpalljes së jashtëzakonshme. Por aty janë nenet pasuese për moskeqpërdorim të gjendjes. Aty thuhet se kur kuvendi e vlerëson që ministrja dhe qeveria nuk po gjejnë zgjidhje hyn në fuqi pika 4 e nenit 25. Aty thuhet se Ministria pas marrjes së masave ka obligim nxjerrjen e akteve ligjore për krijimin e legjislacionit sekondar, por asnjë veprim nuk është marrë deri më tash te qeveria në këtë drejtim, vetëm shpallje te gjendjes emergjente dhe asgjë tjetër”, ka thënë Shala.

Tutje ai theksoi se zyrtarët që e kanë hartuar ligjin për energjinë kanë qenë në dijeni se një ditë do të vijë një Qeveri dhe ministër që mund ta keqpërdor, e sipas tij, për këtë arsye i kanë lënë edhe dy nene pasuese.

“Ata që e kanë hartuar ligjin si duket e kanë ditur më mirë se ne se mund të na vie një Qeveri dhe një ministër që mund ta keqpërdor dhe i kanë lënë edhe dy nene pasuese të cilat na dhanë mundësinë neve për ata që nuk mujnë apo s’dinë ta përmisojnë gabimin”, deklaroi Shala.

Vendimi i Qeverisë, me datë 29 nëntor të këtij viti për zgjatjen e masave emergjente të energjisë elektrike, ka marrë mbështetjen për miratim të 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në lidhje me këtë vendim sot Kuvendi zhvilloi seancë të jashtëzakonshme, ndërkaq Kuvendi po vazhdon me seancë tjetër ku pritet të shqyrtohen pikat e pa përfunfuara të mbledhjeve të kaluara.

Më 24 dhjetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

Qeveria e Kosovës, duke u bazuar në Ligjin për Energjinë, kishte vendosur që të shpallë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

Më pas në gusht të ktij viti, Kuvendi i Kosovës përsëri kishte miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për një periudhë prej 60 ditëve.

Ndëkaq me më 28 tetor të këtij viti, Qeveria miratoi përsëri propozim-vendimin për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, e cila mori mbështetjen e 61 deputetëve për miratim në Kuvend.