Search

Opozita kritikon qeverinë Kurti për mungesën e investimeve – Dëmet shihen në këto ditët e fundit

December 27, 2024


Partit opozitare kanë reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në sistemin energjetik të Kosovës, kryesisht duke parashtruar kritika për qeverinë por edhe duke këshilluar qytetarët për konsum racional të energjisë gjatë këtyre ditëve të ftohta.

Një nga personat që ka parashtuar kritika direkte ndaj qeverisë është kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj, i cili ka reaguar ndaj reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike në vend.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i.

Ngjashëm ka reaguar dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë të Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, pas thirrjes së Ministrisë së Ekonomisë për kursim të energjisë elektrike.

Tahiri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo duket më shumë si një arsyetim sesa një zgjidhje e mirëfilltë.

“Thirrja e Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT dhe KESCO për kursim gjatë orëve të pikut, të përcaktuara ndërmjet 18:00 dhe 21:00 – 24:00, duket më shumë si një arsyetim sesa një zgjidhje e mirëfilltë.

Koha e pikut përkon me nevojën për ngrohje dhe përdorimin e shërbimeve me energji. Orari 18:00 tregon një periudhë kur qytetarët, gjatë gjithë ditës, nuk përdorin pajisjet e tyre në mënyrë intensive, ose lidhet me momentin e përgatitjes së ushqimit. Ndërsa orari 21:00 – 24:00 përputhet me kohën kur temperaturat bien ndjeshëm dhe fillon tarifa e lirë”, ka shkruar Tahiri.

Ai po ashtu tha se në vend që të zgjasin oraret e tarifës së lirë, qytetarëve u propozohet të shtojnë konsumimin e energjisë gjatë tarifës së shtrenjtë, e cila siç tha “është tashmë e papërballueshme për shumëkënd”.

“Siç duket, të gjitha masat e propozuara dhe të zbatuara kanë dështuar. Kjo dëshmohet edhe me rritjen e kufirit maksimal të konsumit deri në 1400 MW.

Për sa i përket nën-stacioneve, si ai i Fushë Kosovës, dështimi është përgjegjësi e KOSTT, siç është evidentuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ndryshoni oraret, merrni masa të qëndrueshme – qytetarët tashmë përballen me vështirësi ekstreme për ngrohje dhe me çmime të papërballueshme”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në një konferencë për media ka folur lidhur me reduktimet e energjisë elektrike në vend që po ndodhin ditëve të fundit.

Azemi theksoi se këto reduktime dhe mungesa e energjisë elektrike janë pasojë e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie që të ofrojë zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike.

“Kosova duhet të ndërtoj kapacitet gjeneruese elektrike… Janë bërë disa ditë e kjo gjendje po përsëritet çdo vit që po kemi probleme serioze të furnizimit me energji elektrike”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, reduktimet në disa qytete e fshatra janë shumë të ashpra dhe siç tha ai situatën e bën më serioze të ftohtit.

“Këto reduktime dhe mungesa e energjisë elektrike janë pasojë e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie që të ofrojë zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike”, tha ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së tha se LDK ka bërë thirrje më parë për marrjen e masave të nevojshme për tu përballur me krizën energjetike.

Ai shtoi tutje se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë, duke u përballur dhe duruar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, ndërkaq në gjendje shumë më të vështira janë bizneset, sidomos ato prodhuese.

/Telegrafi