Search

Operatorët kërkojn bashkëpunimin e qytetarëve për të siguruar furnizim stabil gjatë festave të fundvitit

December 26, 2025


Në fillim të javës Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, ka mbajtur një takim koordinues me operatorët e rrjetit rreth vlerësimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë që tradicionalisht karakterizohet nga rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike.

Të pranishëm ishin përfaqësues së kompanive të licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat zakonisht përballet rrjeti energjetik në periudha festive, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit; kufizimet teknike të rrjetit dhe nevoja për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit; përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë; si dhe organizimin institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.

Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese që janë ndërmarrë për të garantuar stabilitetin e furnizimit.

ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes, përfshirë skenarë të mundshëm dhe planifikim paraprak të masave, në rast të situatave të paparashikuara.

Në njoftim për media ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike.

“Kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale (pikut), kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.„ thuhet në njoftimin e Rregullatorit.

Deklarimet e KOSTT dhe KESCO

Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefi Ekzekutiv të KOSTT, Shaban Neziri, ka mbajtur një konferencë për media rreth gjendjes së sistemit dhe masat e ndërmarra nga operatori.

KOSTT është Ndërmarrje Publike me përgjegjësi të përcaktuara me ligj për operimin e sigurt, të besueshëm dhe të koordinuar të rrjetit të transmetimit, si dhe për administrimin e tregut dhe procesit të barazimeve përfundimtare.

“…Si Operator i Sistemit të Transmetimit, ne (KOSTT) operojmë dhe mirëmbajmë rrjetin e tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV, duke menaxhuar rrjedhat e energjisë për të mbështetur furnizimin e konsumit vendor dhe tregtimin ndërkufitar. Kjo do të thotë se detyra jonë kryesore është siguria e sistemit: të parandalojmë mbingarkesat, të minimizojmë rreziqet teknike dhe të garantojmë stabilitetin e rrjetit në çdo moment.

Sot, sistemi po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit, sidomos në orët e pikut.

Tradicionalisht, piku i ngarkesës shfaqet gjatë sezonit dimëror, me theks të veçantë në periudhën 20 dhjetor – 5 janar, kur konsumi rritet ndjeshëm dhe atë në oraret si: 09:00-11:00, 16:00-19:00 dhe 22:00-23:00.„ është shpehur Neziri në fjalimin e tij.

Gjatë këtij muaji ngarkesa maksimale ka arritur deri në 1523 MW, krahasuar me 1,472 MW vitin e kaluar edhe pse tani temperaturat nuk janë shumë të ulëta.

Sa pëe krahasim, piku i vitit 2020 ishte 1249 MW. Ky trend tregon se kërkesa po rritet më shpejt se sa ritmi historik i kapaciteteve dhe kërkon menaxhim më të kujdesshëm operacional.

KESCO, si furnizues, ka apeluar për kursim të energjisë.

“Duke pasur parasysh ngarkesat që po ndodhin këtyre ditëve si pasojë e një konsumi shumë të lartë, të paparë më herët, si dhe faktin që edhe importi i energjisë elektrike është tejet i lartë për të mbuluar kërkesën, KESCO u bën thirrje konsumatorëve të nisim me zakone të vogla kursimi, të cilat mund të kenë ndikim të madh — veçanërisht duke shmangur përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë njëkohësisht gjatë orëve të pikut (09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00). „ thuhet në njoftimin e KESCO rreht situatës aktuale.

KESCO ka ofruar disa sygjerime për kursim të energjisë të cilët qytetarët mund të i ndjekin:

  • Ngrohja (kaldajë/radiatorë): mbajeni stabile në 20–21°C dhe ulni ose ndalni ngrohjen në hapësirat që nuk përdoren.
  • Kondicionerët (inverter): vendosini në 20–21°C, mbajini stabile (pa ndezje/fikje të shpeshta) dhe përdorini me kujdes gjatë orëve të pikut.
  • Bojleri: ndizeni kryesisht gjatë natës dhe jashtë orëve të pikut.
  • Furra elektrike: shmangeni për gjëra të vogla dhe mos e hapni shpesh gjatë pjekjes; përdoreni jashtë orëve të pikut kur është e mundur.
  • Lavatriçe/Enëlarëse/Tharëse: përdorini vetëm kur janë plot dhe zgjidhni programe “ECO” — preferohet jashtë orëve të pikut.
  • Standby: fikni pajisjet në “pritje” (TV, dekoder, konsolë, karikues) kur s’përdoren.