Search

OEK reagon ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme:  Mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar

November 18, 2025


Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme se ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.

Sipas OEK, me aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ZRRE.

“Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar”, thuhet në reagim.

OEK theskon se do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

E cila është deklaruar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është bërë në kundërshtim me ligjin dhe në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore.

Sipas Bajramit, ky proces është zhvilluar për të favorizuar kompani të lidhura me qeverinë Kurti, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Supreme, siç thotë ajo, “i vërteton të gjitha paralajmërimet që janë bërë më herët”.

Bajrami u ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që vendimi i gjykatës të zbatohet plotësisht dhe që bizneset të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike.

Ajo gjithashtu kërkoi largimin nga institucionet të të gjithë atyre që kanë marrë vendime joligjore dhe mbajtjen e tyre përgjegjës për “çdo cent të shpërdoruar”.

Duke e cilësuar situatën si “hajninë më të madhe të kryer nga mafia energjetike”, Bajrami ngriti pyetjen se pse organet qeveritare nuk po ndërmarrin veprime kundër saj, duke theksuar se “përgjigjen e dinë të gjithë”.

/Telegrafi