Search

OEK padit ZRRE në Gjykatën Supreme, Pika kyçe: Liberalizimi i vrullshëm i tregut po dëmton ekonominë

August 20, 2025


Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për detyrimin e bizneseve që të dalin menjëherë në tregun e lirë të energjisë.

Kjo padi thuhet se është ushtruar me qëllim të mbrojtjes së bizneseve, ekonomisë së Kosovës dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës si konsumatorë të fundit, kundër vendimit të padrejtë të ZRrE-së.

Në këto ditët e fundit bizneset, opozita dhe shoqata të ndryshme kanë shprehur kryesisht shqetësim, frusturim dhe pyetje të shumta rreth këtij procesi dhe implementimit të tij. Shoqata e Prodhueseve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për pasojat që do të shkaktojë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për bizneset.

Kjo shoqatë thekson se nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kjo duhet të bëhet me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme

“Ne, prodhuesit e Kosovës, i bëjmë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset nga data 16 gusht.

Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë dhe uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, thuhet në njoftim.

“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin.

Prandaj, kërkojmë nga ZRRE të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme që mbron prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

ZRRE mbetet e palëkundur në vendimin për liberalizimin e tregut

Pas reagimeve për shkyçjen e disa bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike, ZRRE ka dalë me një komunikatë për media, duke sqaruar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një detyrim ligjor dhe evropian, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës që nga viti 2016.

ZRRE thekson se liberalizimi është bërë në kuadër të transpozimit të direktivave të Bashkimit Evropian, ndërsa Republika e Kosovës, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ka obligim të zbatojë këtë proces.

Sipas njoftimit, ky hap është ndërmarrë jo vetëm për përafrim me standardet evropiane, por edhe për krijimin e konkurrencës.

Në komunikatë, ZRRE bën të ditur se nga gjithsej 9,963 pika matëse të bizneseve që kualifikohen për tregun e hapur, 9,212 prej tyre (92%) tashmë kanë kontrata komerciale me furnizues, ndërsa 751 pika (8%) nuk janë lidhur ende me asnjë furnizues.

Këto të fundit, edhe pse janë furnizuar përkohësisht KEK, e cila ka pasur rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për një periudhë 60-ditore, pas skadimit të afatit kanë mbetur pa energji elektrike.

Sipas rregullatorit 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.

“Duhet theksuar se nga viti 2017, ZRrE ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial.

Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRrE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol.

Gjithashtu, duhet njoftuar se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta.

ZRrE do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm.

ZRrE mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane”, thuhet në njoftim.

/Telegrafi