Search

Oda Amerikane: Të pezullohen liberalizimi i tregut të energjisë, po mbyllen kompani prodhuese

June 05, 2025


Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka përsëritur shqetësimin e saj të thellë për pasojat e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta ndërpresë urgjentisht procesin derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.

Sipas OEAK-së paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime.

“Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve. Derisa liberalizimi mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe të BE-së në energji, ky tranzicion duhet të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga të gjitha palët”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kjo odë thekson se deklarimet e publikuara në mediat që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike.

“Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha”, thuhet tutje në reagim.

Më tej theksohet se duke iu përgjigjur pretendimeve të disa politikbërësve se presioni i komunitetit të biznesit ka të bëjë me kërkesën për më shumë kohë që këta të mund të përgatiten, Oda Amerikane thekson se ky është një keqinterpretim i pozicionit të sektorit privat.

“Bizneset kanë kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të qartë që, para se të kërkohet përshtatja e konsumatorëve, të jetë tregu ai që duhet të jetë i përgatitur. Liberalizimi i një tregu që funksionon me vetëm një furnizues aktiv nuk përbën konkurrencë të mirëfilltë, por një reformë teorike, e zbatuar në moment të vakumit institucional, me pasoja të rënda për sektorin privat dhe për stabilitetin ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur thirrjen e saj drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme korrigjuese duke ndërprerë procesin e liberalizimit derisa të krijohet një treg funksional dhe konkurrues, si dhe derisa të vendosen masa mbështetëse kalimtare.

/Telegrafi