Nuk shtyhet as nuk anulohet liberalizimi i tregut të energjisë – Gjykata Komerciale i jep të drejtë ZRRE-së
August 13, 2025

Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, ka ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit Nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Oda Ekonomike e Kosovës, OEK, dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, DHTIK, kanë shprehur shqetësim të thellë pas këtij vendimi.
OEK, në një njoftim zyrtar thekson se “do të vazhdojë betejën ligjore nëpërmjet mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe për këtë do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës.”
Po ashtu, OEK kërkon nga ZRRE që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRRE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Në ditët në vijim, ne do të konsultohemi me bizneset dhe do të shqyrtojmë hapat e tjerë që do të ndërmerren. Për këtë, do të njoftoheni me kohë’, thuhet në reagim.
Ndërkohë, DHTIK e konsideron vendimin si një hap që “do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, duke përfshirë rritjen e ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, rritjen e çmimit të produkteve, rrezikimin e mijëra vendeve të punës, uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë, si dhe mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore”
DHTIK i bën thirrje ZRrE-së dhe Qeverisë së Kosovës që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent, duke respektuar konsultimet publike dhe përfshirjen e komunitetit të biznesit.
Bëhet thirrje për mobilizim të bizneseve
Gjithashtu, DHTIK kërkon që institucionet të ndajnë mjete shtesë në përkrahje të bizneseve në mënyrë që të mos ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë.
“DHTIK u bën thirrje të gjitha bizneseve që të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të dëmshëm. DHTIK së bashku me bizneset do të përdorë çdo mjet ligjor dhe institucional për të mbrojtur interesat e ekonomisë së Kosovës”, thuhet ne reagim.
/Telegrafi