Nuk ka greva në KEK – Arrihet marrëveshje
November 25, 2024

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) javën që shkoj ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me Sindikatën e Re të KEK-ut (SR-KEK) për të anuluar grevat duke plotësuar kërkesat e punëtorve.
Ky zhvillim vjen pas paralajmërimit të sindikatës për grevë, e cila ishte planifikuar të fillonte më 20 nëntor 2024. SR-KEK kishte njoftuar për grevën pas mbledhjes me punëtorët, duke theksuar se protestat dhe ultimatumet e mëparshme për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës nuk ishin marrë parasysh.
Nga menaxhmenti i KEK-ut tha se ka mirëkuptuar kërkesat e përfaqësuesve të punëtorëve dhe ka propozuar një zgjidhje që përfshin një bonus prej 200 eurosh për fundvi dhe rritje të pagave prej 50 eurosh për të gjithë punëtorët, me efekt nga janari 2025.
Në takim, KEK-u e ka njoftuar sindikatën mbi sfidat dhe prioritetet e ardhshme të korporatës, ndërsa nga ana e saj, SR-KEK ka vendosur të pranojë propozimet dhe të ndërpresë çdo aktivitet sindikal të paralajmëruar.
KEK-u gjithashtu bëri të ditur se ka planifikuar një sërë projektesh madhore, përfshirë:
- Revitalizimin dhe modernizimin e turbinave në TC-B;
- Ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx në dy njësitë e TC-B-së;
- Revitalizimin e një njësie në TC-A;
- Investime në teknologjinë e minierës;
Këto projekte synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, duke kontribuar në stabilitetin afatgjatë të sektorit energjetik të Kosovës.
/Zëri