Njësia B2 e TC Kosova B rikthehet në operim e modernizuar dhe rehabilituar
September 30, 2025

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, njofton se është kthyer në operim dje në mbrëmje njësia B2 e Termocentralit Kosova B. Sipas KEK-ut, operimi ka nisur para afatit të paraparë, më 4 tetor të këtij viti.
KEK ka përfunduar me sukses projektin e rehabilitimit dhe modernizimit të njërës prej turbinave në Termocentralin “Kosova B”, një ndër investimet më strategjike në sektorin energjetik të vendit.
Projekti u realizua në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze General Electric dhe me përfshirjen e ekspertëve vendorë të KEK-ut.
“Ky sukses është rezultat i projektit madhor për rehabilitimin dhe modernizimin e turbinës, i zbatuar në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze General Electric dhe me ekspertët e KEK sh.a. Projekti ka sjellë rritje të dukshme të kapaciteteve prodhuese dhe efikasitet më të lartë të sistemit. Implementimi i suksesshëm do të mundësojë kursime të konsiderueshme për Korporatën, si dhe do të garantojë stabilitet dhe siguri më të madhe energjetike për vendin”, thuhet në njoftimin e KEK.
Sipas njoftimit, gjatë fazës së startimit të turbinës së modernizuar, në mbështetje të procesit dhe të punonjësve, të pranishëm ishin edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, së bashku me anëtarë të tjerë të menaxhmentit të lartë të Korporatës.
/Telegrafi