Search

Njehsorët elektrik: Prokuria angazhohet dhe dorëzohet dosje në Polici

April 09, 2026


Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka dorëzuar në Departamentin e Hetimeve një dosje që lidhet me funksionimin e njehsorëve elektrikë në vend.

Sipas tij, dokumentacioni përfshin prova që, sipas LDK-së, tregojnë parregullsi në matjen dhe faturimin e energjisë elektrike.

E njëjta çështje është adresuar edhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe në kompaninë KEDS.

Njehsorë problematik: Dorëzohen dëshmi në ZRRE

Lexo më shumë

Nga kjo parti pretendohet se, nga gjithsej 884 njehsorë të verifikuar, rreth 87% e tyre kanë rezultuar me matje që çojnë në fatura më të larta për qytetarët, edhe në rastet kur aplikohet tarifa më e ulët.

Mëtutje Azemi i ka kërkuar Prokurorisë që të ndalojë çfarëdo intervenimi në njehsorë elektrikë, pasi mund të fshihen provat.

Azemi në një postim në Facebook shkruan se ndërrimi i njehsorëve nga shtëpitë dhe banesat, pikërisht në rastet kur ekzistojnë dyshime serioze se kanë matur kohën gabimisht, ngre dyshime të mëdha për fshehje të provave.Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm ka bërë të ditur se lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehsorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehsorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson më tej se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

/Telegrafi