Search

Niveli i furnizimit stabil në Kosovë: Çmimet e naftës nuk duket se do të ulen as të rriten

March 12, 2026


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se aktualisht nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.

Sipas Ministrisë, të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve tregojnë se stoqet janë në nivel të rregullt dhe në suazat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Furnizimi në treg konsiderohet stabil dhe pa ndërprerje.

Ministrja ka theksuar se nuk ka asnjë arsye për panik apo për krijim të rezervave të panevojshme, duke shtuar se stabilizimi i çmimeve në bursat ndërkombëtare nuk jep bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor.

“Institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër tregun për të garantuar stabilitet në furnizim dhe çmime të drejta për qytetarët dhe bizneset,” ka shkruar Kusari në Facebook.

Kusari shtoi se ministria po monitoron gjithashtu zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar maksimalisht në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, aktualisht një litër dizel në tregun kosovar po shitet nga 1 euro e 39 centë deri në 1 euro e 60 centë, ndërsa benzina nga 1 euro e 27 centë deri në 1 euro e 39 centë, raporton KosovaPress.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, thotë se pavarësisht lëvizjeve të fundit, qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmime ndër më të ulëtat në rajon, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut që ka akcizë më të ulët për karburantet.

Berjani thekson se vetëm Maqedonia e Veriut ka çmime më të ulëta, por sipas tij kjo ndodh për shkak të akcizës më të vogël.

“Sot çmimet e derivateve të naftës në tregun kosovar sillen përafërsisht 1 litër diesel 1.39 centë deri në 1.60 centë. Benzina 1.27 centë deri në 1 euro e 39, plus, minus këtu ekziston, por mund të them lirisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore. Por, Maqedonia e ka akcizën më të ulët 22 centë. Sot në Maqedoni 1.34 një litër diesel, shtoja edhe 22 centë, 1.65”, thotë Berjani.

Ai ka shtuar se rritja e çmimeve lidhet me zhvillimet globale, veçanërisht pas sulmeve SHBA – Izrael në Iran.

“Rritja e derivateve të naftës është shkaku i luftës në Iran. Situata globale e cila është këtu, është shkaku i kësaj…Presidenti Trump e vendos se carë çmime dhe si do të jetë situata në tërë globin me derivate të naftës. Kjo krizë është në tërë botën…Për momentin është trendi në rënie, nuk është e saktë, berza mbyllet në ora 22:00, atëherë e dimë në ora 22:00 se çfarë çmime do të kemi për nesër”, nënvizon Berjani.

Berjani ka kritikuar edhe rritjen e çmimeve në markete dhe shërbime të tjera, duke thënë se ato shpesh lidhen me çmimin e naftës edhe kur ky i fundit është në rënie.

Derisa apelon kompanitë e autobusëve të mos rrisin çmimet e biletave, pasi siç thotë ai, çmimet e derivateve do të vinë në nivelin e rënies.

“Çdoherë, marketet, supermarketet e mëdha janë të lidhura me naftën, kinse nafta është rritur dhe çmimet janë rrit. Unë apeloj dhe besoj se edhe ata duhet të kuptojnë se nafta është në rënie, nafta po bie, por çmimet në markete nuk po bien, ky është problemi shumë i madh…Po ashtu rritja e biletave të autobusit besoj se ata kanë arsyeje, por mos të nguten, sepse trendi është në rënie, besoj se çmimet e derivateve do të vinë në nivelin e duhur”, shprehet Berjani.

Ndërkohë, qytetarët shprehen të shqetësuar për nivelin e çmimeve, duke thënë se ato janë të larta krahasuar me të ardhurat në Kosovë.

/Telegrafi