Search

Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë për herë të parë në Kosovë prodhon energji elektrike nga biomasa

02 Qershor, 2021


Në fund të muajit maj, në ngrohtoren e qytetit të Gjakovës ka filluar prodhimi i energjisë elektrike nga biomasa. Një gjë e tillë po ndodh për herë të parë në Kosovë.

Faza testuese e hedhjes së energjisë në rrjet nga kalldaja që prodhon energji elektrike u bë nga inxhinierët e kësaj ndërmarrje, ka raportuar TV Syri-Vision.

Ky proces u përcoll nga afër nga kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe drejtoresha e ngrohtores, Albana Dulatahu Skivjani.

‘E dijmë që kemi të bëjmë me një impiant të kogjenerimit, do të thotë kemi edhe prodhim të nxehtësisë gjatë dimrit por edhe prodhim të energjisë elektrike gjatë gjithë vitit. Është asset i jashtzakonshëm i komunës, është dicka e jashtzakonshme edhe për njerëzit që do të marrin benefite nga ky impiant, por edhe për vetë ata që janë angazhuar shumë gjatë… ka diku një vit e gjysmë që shumë janë duke u marrë në mënyrë intensive dhe më profesionale të mundshme me këtë projekt’, ka thënë Ardian Gjini, kryetari i komunës së Gjakovës.

Ngrohtorja e qytetit përbëhet nga dy kalldaja të cilat prodhojnë energji termike ndërsa një që prodhon energji elektrike.

Investimi në vlerë prej 15 milion eurosh nga Bashkimi Evropian në këtë projekt, ka bërë që Kosova për herë të parë të prodhojë rrymë nga biomasa.

‘Pas kryerjes së të gjitha procedurave me ZRRE-në, KOSTT-in dhe KEDS-in, sot fillon për herë të parë hedhja e energjisë në rrjet, që është një pikë shumë e rëndësishme sepse po prodhohet energji elektrike nga biomasa për herë të parë në Kosovë. Investimi ka kushtuar 15 milion euro dhe i gjithë investimi ka ardhë nga Bashkimi Evropian. Normalisht, për kryerjen e të gjitha procedurave kemi pasë përkrahje edhe nga Komuna e Gjakovës, Ministria, që kanë ndihmuar për të arritur në këtë pikë’, ka thënë Albana Dulatahu Skivjani, drejtoresha e ngrohtores.

Përdorimi më efikas i energjisë do të ketë efekt pozitiv mbi mjedisin jetësor dhe njëkohësisht do të gjeneroj rezultate tjera pozitive.

Vlen të theksohet se projekti i ngrohtores së qytetit ende nuk ka përfunduar dhe kap vlerën e investimit rreth 15 miloionë euro.