Search

Në mbledhjen e Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskutohet auditimi i KOSTT

27 Shtator, 2022


Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, udhëhequr nga Ferat Shala, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës, duke proceduar me diskutimin lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit Nr.08-Re 007, për auditimin e performancës së ndërmarrjes publike KOSTT SH.A.

Të ftuar në takim ishin përfaqësues nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe përfaqësues nga ndërmarrja publike KOSTT, për të trajtuar të gjeturat e auditimit mbi performancën e KOSTT dhe hapat konkretë që adresojnë të gjeturat e raportit të auditimit.

Nga përfaqësuesit e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm pas auditimit të performancës së kësaj ndërmarrejeje, u tha se janë vërejtur disa mangësi në realizimin e aktiviteteve të parapara të ndërmarrjes KOSTT.

Lidhur me këto gjetje, siç paraqiti auditori Arben Selimi, ishin dhënë 15 rekomandime që për synim kishin rritjen e cilësisë së ekzekutimit të aktiviteteve, 13 prej të cilave ishin parë të arsyeshme për zbatim nga ndërmarrja e KOSTT-it.

​KOSTT nuk ka qasje fizike në veri, dështon projekti për nënstacionin në Vallaq

Lexo më shumë

Procedurat e rekrutimit, mos zbatimi i projekteve, ndarja jo e drejtë e detyrave, planifikimi i investimeve, mbikëqyrja e paisjeve të nevojshme për realizim të punës, ngecjet në menaxhimin e procedurave të prokurimit, ishin disa nga vërejtjet e auditimit të ZKA-së për KOSTT-in.

Gjetjet e ZKA-së u konsideruan të mirëpritura nga përfaqësuesit të KOSTT, për të cilat nga kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, u tha se përveç dy rekomandimeve, për rekomandimet tjera, u hartuan plane të veprimit të miratura apriori nga bordi i drejtorëve të KOSTT dhe të përcjellura tek ZKA.

Duke iu referuar gjetjeve të auditimit të përgjithshëm, përfaqësuesit e KOSTT theksuan se janë duke punuar në realizimin e aktiteteve në bazë të prioriteteve dhe disa kërkesave të adresuara nga KEDS. Ndërsa, sa i përket projekteve kapitale, u përmend se janë krijuar grupet punuese, janë caktuar afatet kohore dhe janë hartuar modulet për linjat buxhetore për to.

Pas përmendjes së indikatorëve pengues në realizimin e disa aktiviteteve të KOSTT, nga përfaqësuesit e këtij operatori u tregua se përzgjedhja e bordit të drejtorëve të tij ka ndikuar në vazhdimësinë dhe përmbushjen e obligime dhe përgjegjësive që u takon, duke përdorur resurset humane brenda operatorit dhe resurset e institucioneve tjera që lehtësojnë arritjen e objektive që KOSTT ka për qëllim.

Lidhur me të gjeturat e raportit të auditimit, deputetët e komisionit po ashtu parashtruan një gamë të gjerë pyetjesh, duke vënë theksin tek planet konkrete të KOSTT-it dhe strategjive për të menaxhuar mangësitë përmbajtësore dhe financiare të identifikuara, që si rezultat të përmirësohet kualiteti i përgjithshëm i performimit të kësaj ndërmarrjeje.

Duke falënderuar të pranishmit për prezencën, kryetari i komisionit Ferat Shala, ndër të tjera bëri të ditur se përfaqësuesit e KOSTT do të ftohen përsëri për raportim rreth implementimit të rekomandimeve të dala nga ZKA dhe çështjeve të tjera që i bien përsipër ndërmarrjes në fjalë.