Search

Në Gjakovë ankesa për fatura të larta të ngrohjes – Rizvanolli ofron zgjidhje

November 22, 2024


Ministrja Rizvanolli i inkurajoi qytetarët që kanë pranuar fatura të larta për ngrohje, që të kërkojnë sqarime nga Ngrohtorja e Qytetit të Gjakovës.

Për shkak të ankesave të qytetarëve në lidhje me faturat e ngrohjes në Gjakovë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka vizituar Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës. Në këtë takim ministrja ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës Ministria e Ekonomisë e ka subvencionuar këtë ndërmarrje me €1.8 milionë, me qëllim që çmimi i ngrohjes për qytetarët të jetë i përballueshëm.

Ministria e Ekonomisë ka pasur marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kanë financuar ndërtimin e projektit që të subvencionojnë ndërmarrjen me nga €300 mijë në vit për tri vite për blerjen e biomasës që përdorë ngrohtorja. Subvencionet, në total përmbanin shumën prej 900 mijë euro, sipas marrëveshjes.

Mirëpo, përtej kësaj marrëveshje, ME e ka vazhduar subvencionimin e ndërmarrjes për vitin e katërt me radhë për €300 mijë . Kurse në vitin e dytë të operimit (gjatë dimri 2022-2023) ka trefishuar subvencionin në €900 mijë. Pra, deri NQ e Gjakovës, ka marrë subvencione prej 1.8 milionë euro, dyfishin e asaj që ka qenë e dakorduar fillimisht.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se kjo mbështetje është dhënë me qëllim që çmimi për qytetarët të jetë i përballueshëm, prandaj jemi të shqetësuar që shumë qytetarë kanë pranuar fatura tejet të larta, përkundër faktit që tarifat nga ZRrE nuk janë rritur.

“Dje e vizitova Ngrohtoren e Gjakovës për t’u informuar rreth kësaj çështje dhe i inkurajova që të kenë komunikim të ngushtë me qytetarët për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi. Falënderoj Kryeshefin Blerim Halilaj dhe ekipin për diskutimin e frytshëm”, ka theksuar Ministrja Rizvanolli.

Ajo i ka njoftuar qytetarët që kanë pasur probleme të tilla, që sipas legjislacionit në fuqi autoriteti i parë për adresimin e ankesës (që duhet të bëhet jo më larg se 45 ditë pas pranimit të faturës) është Ngrohtorja, ndërsa autoriteti kompetent për shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve në rast të mosadresimit të çështjes në mënyrën e duhur është Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Gjithashtu, inkurajoj qytetarët që të kërkojnë sqarime nga Ngrohtorja për hapat që duhet të ndërmarrin për të ulur faturën. Jam e bindur që me një bashkëpunim të ngushtë mes qytetarëve dhe ngrohtores ka hapësirë që këto sfida të tejkalohen dhe qytetarët të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë shërbimet e ngrohtores”, ka bërë thirrje Rizvanolli.