Search

Ndotja nga thëngjilli në Turqi shkakton shpenzime vjetore shëndetësore prej 10.9 miliardë eurosh

February 09, 2021


Raporti i fundit për ndotjen nga thëngjilli në Turqi nënvizon se ndotja nga termocentralet me thëngjill shkakton vdekjen e rreth 5,000 banorëve dhe 3,000 lindjeve të parakohshme në vit, krahas dëmeve financiare në shumën prej rreth 10.9 miliardë eurosh.

Turqia është duke planifikuar dyfishimin e kapaciteteve për prodhimin e rrymës nga qymyri, edhe pse ky veprim duket të ketë ndikime të mëdha shëndetësore dhe financiare.

Sipas një analize nga Aleanca për Shëndet dhe Mjedis (HEAL) të vitit 2019, shuma e përllogaritur e dëmeve nga ndotja e shkaktuar nga termocentralet me thëngjill ishte rreth 10.9 miliardë euro në vit, shumë kjo që përfaqëson 27 për qind të buxhetit të përgjithshëm për shëndetin në Turqi.

HEAL dhe shtatë organizata të shëndetit në Turqi kërkojnë largimin nga qymyri për të mbrojtur shëndetin e njerëzve, për të mundësuar ajër të shëndetshëm dhe luftë ndaj ndryshimeve klimatike.

Sipas raportit të fundit për ndotjen nga thëngjilli në Turqi, 28 termocentralet me qymyr që po operonin në vitin 2019 kanë shkaktuar shpenzime të jashtzakonshme shëndetosore.

Fatura e dëmeve përfshinë 5,000 vdekje të parakohshme, 26,500 raste të bronkitit tek fëmijët dhe mbi 3,000 lindje të parakohshme.

Hulumtimet kanë kalkuluar 237,000 ditë më shumë të simptomeve me astma dhe bronchitis tek fëmijët me sëmundje të astmës, rreth 1.48 milion ditë të humbura të punës dhe rreth 11.3 milion ditë të përcjellura me sëmundje në total.

Ndotja e ajrit nga industria e qymyrit ka shkaktuar sëmundje të zemrës dhe mushkërive dhe ka rritur rrezikun nga sëmundjet tjera. Kjo industri ka prodhuar rreth 37 për qind të energjisë elektrike në Turqi në vitin 2019.

Djegia e thëngjillit është burimi i dytë më i madh i emetimeve të merkurit në botë. Në raport, ky metal është nënvizuar si një ndër katër ndotësit kryesor, krahas grimcave të pluhirt, dyoksidit të sulfurit (SO2) dhe oksideve të nitrogjenit, që njihen si NOx.

Dëmet shëndetësore dhe klimatike të emetimeve nga termocentralet me qymyr nuk konsiderohen gjatë proceseve të politik-bërjes. Kostot shëndetësore në Turqi nga termocentralet me qymyr mund të jenë edhe më të mëdha se 10.9 miliardë euro, nëse konsiderohet edhe ndikimi që këto termocentrale kanë në ndryshimet klimatike.

Ky sektor është ndër kontribuesit më të mëdhenj të emetimeve të dyoksidit të karbonit, që ndikojnë direkt në ngrohjen globale.

Ndryshe, Turqia është duke zhvilluar edhe tridhjetë termocentrale me qymyr me 33 gigavat orë kapacitete të instaluara në total, krahas termocentraleve me kapacitet të instaluar prej 19 gigavatësh që tani ka në operim.