Search

NATO synon të ulë emetimet me 45% deri në vitin 2030, dhe të jetë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050

29 Qershor, 2022


Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) synon që të ulë emetimet e gazrave serrë civilë dhe ushtarakë me të paktën 45% deri në vitin 2030 dhe të jetë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ndërsa shpalli objektivat e para të emetimeve për organizatën.

“Nuk do të jetë e lehtë, por mund të bëhet”, tha ai në një fjalim në margjinat e samitit të NATO-s në Madrid.

Lajmin e ka përcjellur Reuters, ku është raportuar se me zotimin për të eleminuar net emetimet e gazrave serrë deri në 2050, NATO përafron aleancën me rrugën për të arritur objektivin e Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius (34.7°F).

Objektivat e NATO-s i referohen aseteve të vetë aleancës si avionët e saj të vëzhgimit AWACS, dronët e saj me bazë në Itali dhe selinë e saj në Bruksel, si dhe selitë ushtarake në vende të tjera si Mons (Belgjikë), Napoli (Itali) ose Brunssum (Holandë).

Në të njëjtën kohë, NATO poashtu kërkon ndihmën e aleatëve në reduktimin e gjurmës së karbonit të ushtrive kombëtare.

Por emetimet ushtarake shpesh përjashtohen nga objektivat e vendeve të emetimeve të karbonit dhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, për shembull, është konsumatori i vetëm më i madh i naftës në botë, sipas hulumtimit në 2019 nga Neta Craëford në Universitetin e Bostonit.

Një studim i porositur nga Parlamenti Evropian llogariti në vitin 2021 se gjurma e karbonit e ushtrive të BE-së në 2019 ishte rreth 24.8 milion ton ekuivalent të dioksidit të karbonit – afërsisht i njëjtë me emetimet e CO2 nga rreth 14 milion makina.

Një tank kryesor beteje si Leopard 2 i Gjermanisë thith 400 litra (106 gallon) naftë në fushë për të mbuluar vetëm 100 km (62 milje), sipas një burimi të brendshëm që nuk pranoi të përmendet emri.

Stoltenberg tha se reduktimi i emetimeve ushtarake jo vetëm që do të ndihmonte mjedisin, por gjithashtu do të përmirësonte automjetet ushtarake.

“Unë besoj se në të ardhmen, mjetet ushtarake më të avancuara dhe forcat e armatosura më elastike, do të jenë ato që nuk do të mbështeten në lëndët djegëse fosile,” tha ai.