Search

Murati: Kriza energjetike është tek dera, qeveria duhet të veprojë

11 Tetor, 2021


Përmes postimit në rrjete sociale, Kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Valon Murati ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të reagojë me urgjencë për të tejkaluar krizën energjetike në Kosovë.

‘Kriza energjetike po duket që po na troket në derë, e njëkohësisht me të rritja e çmimeve apo edhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Evropa, por edhe shtete si Kina e India janë në alarm. Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë filluar të marrin masat për të zbutur pasojat në dimrin që po hyjmë. Ka nga ata që po luten që dimri të jetë i butë’, ka thënë në postimin e tij Murati.

Për shkak të mbështetjes në një burim energjetik, Murati ka sqaruar se Kosova ka mungesë të energjisë elektrike gjatë sezonit të dimrit, për cka edhe importon pikërisht atëherë kur edhe disponueshmëria e energjisë në treg është e mangët dhe çmimet e larta.

Ai ka thënë se përkundër krizës, ‘disi nuk po duket që qeveria jonë dhe institucionet përkatëse janë alarmuar nga kjo gjende’. Andaj, Murati ka kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse, duke përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës të reagojë me urgjencë, qoftë edhe të shpallë gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të tejkalojë në këtë situatë kufizimet që parashohin ligjet ekzistuese.

Gjithashtu për shkak edhe të komplementaritetit, Murati ka kërkuar nga Kosova të bashkëpunojë me shtetin shqiptar që të koordinohen politikat në përballimin e situatës.

‘Së paku të gjithë ne e meritojmë të dimë se si e kemi gjendjen, çfarë masash po merren, dhe cila do të jetë barra jonë si qytetarë dhe cila barra e bizneseve. Andaj është koha që qeveria të paralajmërojë, të reagojë dhe mbi të gjitha të veprojë. Ndërsa ne si qytetarë, të gjithë pa dallim, mund të ndihmojmë duke mos shpenzuar vend e pavend’, ka shkruar Murati.