Search

Mungesë e furnizimit dhe energji e pasiguruar në treg – Qytetarët dhe Bizneset dëmtohen nga ndërprerjet

January 15, 2026


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, DHTIK, si dhe Lidhja e Bizneseve kanë shprehur shqetësimin e thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike, duke paralajmëruar humbje serioze për qindra biznese në vend.

Sipas DHTIK, përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, gjendja e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm.

“Bizneset po paguajnë shumëfish për energji elektrike, ndërkohë, furnizimi nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e DHTIK-së.

Ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë sjellë pasoja të rënda për sektorin privat.

DHTIK njofton se këto ndërprerje kanë shkaktuar pamundësi të funksionimit normal të bizneseve, rritje të kostove të prodhimit, humbje të orëve të punës dhe dëme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të DHTIK-së, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset”, thuhet në reagim.

DHTIK bën thirrje urgjente që të ndërmerren masa për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë, duke theksuar.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet”, theksohet më tej në reagim.

Ngjashëm Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike në vend. Të cilët në ditët e fundit, përfaqësuesit e kanë marrë ankesa të shumta nga komuniteti i bizneseve.

Vizitat në terren, përfshirë regjionin e Pejës, kanë konfirmuar një gjendje alarmante: ndërprerjet e vazhdueshme po dëmtojnë pajisjet, pengojnë planifikimin normal të prodhimit dhe ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit.

“Është e papranueshme që në vitin 2026 qytete të tëra të mbeten pa furnizim me energji elektrike për orë të tëra, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Akoma më shqetësuese është fakti se qytetarët dhe bizneset po paguajnë energji gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërkohë që furnizimi mbetet i pasigurt dhe i paqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Lidhjes.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës i kërkon institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, të sigurojnë transparencë dhe paralajmërim paraprak për çdo ndërprerje, si dhe të mbrojnë sektorin prodhues, i cili është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit në vend.

“Bizneset e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e keqmenaxhimit energjetik”, deklaroi kryetari i Lidhjes, Besart Dreshaj.

/Telegrafi