Search

Miratohet koncept dokumenti për burime të ripërtërishme të energjisë

29 Dhjetor, 2021


Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 52-të, ka miratuar sot Koncept Dokumentin për Burime të Ripërtërishme të Energjisë të propozuar nga Ministria e Ekonomisë.

Një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, është krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që synohet të arrihet nëpërmjet teknologjisë dhe energjisë së pastër e të përballueshme.

Ky koncept dokument ka për qëllim të arrijë përmirësimin e infrastrukturës ligjore me qëllim të rritjes së furnizimit me energji të pastër, rritjen e sigurimit të furnizimit me energji, promovimin e inovacionit teknologjik dhe ofrimin e mundësive për punësim dhe zhvillim rajonal përmes industrisë së energjisë së pastër.

Qëllimi i politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë është promovimi i shfrytëzimit ekonomik e të qëndrueshëm të potencialeve vendore të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në funksion të plotësimit të nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.