MINT vendosë marzha maksimale për produktet e naftës – Odat Ekonomike e shohin si ndërhyrje në tregun e lirë
December 22, 2025

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës.
Sipas OEK-ut, ky vendim ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e lirë dhe cenon parimet e konkurrencës së drejtë.
“Vendosja e kufijve të çmimeve për karburantet nuk është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe rrezikon të çrregullojë funksionimin normal të tregut, duke kufizuar lirinë e operatorëve ekonomikë,” tha OEK.
OEK thekson se çmimet e karburanteve përcaktohen nga një kombinim faktorësh ndërkombëtarë dhe lokalë, duke përfshirë luhatjet e çmimeve në tregjet globale, kostot e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimet gjeopolitike. Masa të tilla administrative nuk reflektojnë këto realitete dhe mund të ndikojnë negativisht në furnizimin dhe konkurrencën.
Gjithashtu, OEK vë në pah se vendimi është marr nga një qeveri në detyrë, e cila ka mandat të kufizuar ligjor dhe institucional. Praktika dhe vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës tregojnë se vendime me ndikim të gjerë ekonomik duhet të merren nga qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet të plotë parlamentar.
Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë mekanizma alternative për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, pa ndërhyrje direkte në çmime.
Edhe Oda Amerikane shpreh ankesa të ngjashme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është deklaruar kundër vendimit të fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e masave administrative që përcaktojnë marzha maksimale tregtare për produktet e naftës.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Oda Amerikane rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, duke e kufizuar ndërhyrjen e shtetit në përcaktimin e çmimeve vetëm në rrethana rreptësisht të përcaktuara dhe përjashtimore.
Çmimet e karburanteve nuk janë çmime të rregulluara sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe përcaktimi i tyre përmes akteve administrative përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një treg përndryshe të lirë.
“Një ndërhyrje e tillë cenon parimet themelore kushtetuese të lirive ekonomike, sigurisë juridike dhe konkurrencës së lirë, si dhe krijon një precedent shqetësues për përfshirje diskrecionale të shtetit në tregjet ku çmimet duhet të përcaktohen nga oferta dhe kërkesa”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, përveç shqetësimeve kushtetuese, Oda Amerikane thekson se ky vendim është miratuar nga një qeveri në detyrë, mandati i së cilës është ligjërisht dhe institucionalisht i kufizuar.
Qeveritë në detyrë pritet të sigurojnë vazhdimësinë e administrimit dhe të përmbahen nga miratimi i vendimeve substanciale politike që ndikojnë materialisht aktivitetin ekonomik, strukturën e tregut apo të drejtat dhe detyrimet e aktorëve të sektorit privat.
Në këtë drejtim, Oda Amerikane tërheq vëmendjen te një aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili ka riafirmuar autoritetin e kufizuar të institucioneve në detyrë për të miratuar akte normative me ndikim të gjerë ekonomik, si dhe ka urdhëruar detyrimin e organeve ekzekutive për të vepruar në mënyrë të përmbajtur dhe brenda kufizimeve të qarta ligjore. Ky vendim gjyqësor forcon më tej qëndrimin se vendimet me impakt të gjerë ekonomik, janë të rezervuara për qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik e parlamentar.
Përtej dimensioneve ligjore dhe institucionale, Oda Amerikane rithekson se çmimet e karburanteve ndikohen nga një gamë e gjerë faktorësh të jashtëm dhe strukturorë, përfshirë tregjet ndërkombëtare të naftës, zhvillimet gjeopolitike, zinxhirët rajonalë të furnizimit, kostot e transportit dhe sigurimit, luhatjet valutore dhe shpenzimet operative lokale.
Kufizimet administrative të marzhave nuk i pasqyrojnë këto realitete dhe rrezikojnë të çrregullojnë tregun, të dekurajojnë konkurrencën dhe të rrezikojnë sigurinë e furnizimit në një ekonomi shumë të varur nga importi, siç është Kosova.
Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë menjëherë dhe të shfuqizojë vendimin për kontrollin administrativ të çmimeve, të respektojë garancitë kushtetuese të ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës së lirë, të respektojë kufizimet ligjore që vlejnë për qeveritë në detyrë, si dhe t’i adresojë shqetësimet e tregut përmes transparencës, zbatimit të konkurrencës dhe dialogut me sektorin privat, në vend të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në çmime.
/Telegrafi