Search

Ministrja Rizvanolli: Vitin e ardhshëm do të kemi pilot projekte për ngrohje dhe efiçencë të energjisë

24 Nëntor, 2021


Ministrja Artane Rizvanolli mori pjesë në diskutimin me temë “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë”, organizuar nga Balkan Green Foundation (BGF), në kuadër të projektit “Bashkëpunimi shumëpalësh për aksionin e transformimit të mjedisit”, ku foli edhe planet rreth projekteve për ngrohje dhe cfarë është arritur me projektin e ngrohtores së re me biomasë në komunën e Gjakovës.

“Ne si qeveri aktualisht kemi disa projekte të cilat janë në vijim ose do të fillojnë së shpejti në lidhje me sektorin e ngrohjes”, theksoi Rizvanolli.

“Në Termokos parashihen investime në të ardhmen në rritjen e ngrohjes në rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit me ndihmën e KfW dhe një pjesë bashkëfinancim”, tha Rizvanolli.

“Me përkrahjen e MCC-së do të bëhet instalimi i matësve të energjisë termike në 300 ndërtesa në Prishtinë”, tha ajo.

“Vec e përmenda që dje e kemi inaguruar ngrohtoren e re me biomasë në Gjakovë e cila ndryshimin e teknologjisë që është bërë, zëvendësimi i lëndës djegëse, mazutit, me biomasë zvogëlon emetimet e CO2 nga 49 mijë ton në 615 tonë, do të thotë është një dallim shumë i madhë”, tha ajo.

Ajo theksoi se me plotësimin e zinxhirit të furnizimit për ngrohtoren me biomasë të Gjakovës pritet të krijohen edhe 100 vende të reja të punës.

“Duke shfrëtzuar biomasën nga pastrimi i pyjeve në rrethinë të Gjakovës, dhe në momentin që ky zinxhirë i furnizimit të kompletohet pritet që të krijohen 100 vende të reja të punës në këtë zinxhirë të furnizimit”, theksoi ajo.

“Pastaj kemi projektin me BERZH dhe KfW për energjinë termike nga panelet solare, në të cilën nuk kisha hyrë më në detaje”, tha ajo.

Ndërkaq, rreth asaj se çka ka paraparë qeveria si masë për të subvencionuar rreth mos përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje, Rizvanolli theksoi për këtë sezon dimërore është e vështirë të lansohen projekte për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes, marrë parasysh kohën e shkurtër.

Mirëpo, ajo bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të fillojnë disa projekte testuese, apo pilot projekte, për sektorin e ngrohjes dhe efiçencës së energjisë.

Ministrja Rizvanolli theksoi se më pas rezultatet e këtyre pilot projekte do të shërbejnë si shembuj apo mësime për projekte të shkallës së gjerë për të gjithë Kosovën, për të cilat definitivisht ka nevojë vendi sipas ministres Rizvanollit.

“Këtë vit jemi në një situatë ku nuk mund të ofrojmë zgjidhje të shpejtë që mund të jenë edhe jo efektive dhe jo të qëndrueshme. Por sivjet do të fokusohemi në menaxhimin e krizës energjetike”, tha ajo.

“Për këtë kam themeluar një task forcë para disa javësh e cila i ka sjellur rekomandimet dje, dhe do ta trajtojmë çështjen e furnizimit me energji elektrike duke qenë se është një kohë e shkurtë edhe për konsumatorët që të bëjnë zgjidhje të tjera nëse nuk i kanë ato”, bëri të ditur ministrja.

“Mirëpo, do të bëjmë maksimumin që gjatë vitit tjetër të pilotojmë një ose më shumë skema në ngrohje dhe ose efiçensë të energjisë, në mënyrë që në të ardhmen kur të bëhen intervenimet të tilla në masë më të madhe, për të çka definitivisht ka nevojë, ne të kemi disa kapacitete disa mësime të mësuara në mënyrë që investimet e mëdha që bëhen në të ardhmen të jenë efektive dhe eficiente në shfrytëzimin e burimeve të caktuara që i kemi”, tha ajo.