Ministrja Rizvanolli takoi delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar
February 12, 2026

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në takim delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN.
Ky delegacion, i cili udhëhiqet nga Shefi i Misionit për Kosovë, David Amaglobeli, ka qenë në disa takime javës së fundit në institucione kyçe të sistemit elektroenergjetik.
Sipas njoftimit nga Ministria e Ekonomisë, gjatë takimit, palët diskutuan për zhvillimet aktuale në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, me fokus të veçantë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, performancën e sektorit, si dhe sfidat dhe perspektivat për periudhën e ardhshme.
Delegacioni i FMN-së u njoftua për projektet strategjike energjetike që janë duke u zhvilluar, përfshirë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Delegacioni i FMN-së vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen në fushat me rëndësi për stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit, raporton Kosovo Energy News.