Ministrja Rizvanolli prezanton disa nga përfitimet e sjella nga subvencionet për panela solare
August 07, 2025

Ministrja Rizvanolli viziton dy biznese në Gjakovë të cilat janë përfitues të subvencioneve për panele solare.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me Alessandro Bianciardin, Zëvendësdrejtor i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, kanë vizituar dy biznese në Gjakovë që kanë përfituar subvencione për instalimin e paneleve solare.
Këto subvencione janë siguruar nga Ministria e Ekonomisë përmes një granti të Bashkimit Evropian, me qëllim promovimin e konsumit vetanak të energjisë së ripërtëritshme.
Bizneset e vizituara janë Qumështoren Ada dhe kompania “Toni Plast”, në të cilat faturat e energjisë elektrike janë ulur pothuajse përgjysëm pas instalimit të paneleve solare.
Pronari i Qumështores Ada, Bekim Mirashi, bëri me dije se biznesi i tij ka përfituar një subvencion prej 6,000€ po aq sa ka fituar dhe kompania “Toni Plast”, me pronar Bajram Hoti.
Ministrja Rizvanolli ka shprehur falënderimin ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe kompanitë prodhuese të cilat po investojnë në efiçiencë të energjisë, duke vlerësuar këto investime të cilat sjellin efekte afatgjata për vetë bizneset dhe ekonominë e vendit.