Ministrja Rizvanolli paralajmëron vizitë në KEK pas rikthimit në funksion të bllokut A3
September 20, 2022

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se sot në orën 16:00 do të vizitojë Korporatën Energjetike të Kosovës.
Përmes një njoftimi për media nga ministria e saj, është bërë e ditur se Rizvanolli do të vizitojë termocentralin “Kosova A”, atje ku ditë më parë KEK-u njoftoi se po planifikon ndaljen katër-pesëditore të njësisë A-3.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë, por planifikohet për ndalje 4-5-ditore. Lidhur me këtë, KEK-u ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike”, thuhej në njoftimin e KEK-ut.

Njësia A3 e KEK është rikthyer në operim sot
Kjo njësi ishte planifikuar të kthehej në funksion nesër, por megjithatë e njëjta do të kthehet sot në punë, pikërisht në ditën kur ministrja viziton KEK-un.
Rikthimin në funksion të bllokut A3 e ka konfirmuar zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skendër Bucolli, i cili tha për portalin “Shqip” se kjo ka ndodhur një ditë para planifikimit.
“Njësia e cila ka pasur që të kthehet nesër në funksion është kthyer sot dhe ka ndodhur para planit. Ka qenë e planifikuar që të ndalet për pesë ditë, por është kthyer sot në mëngjes”, tha Bucolli.