Ministrja Rizvanolli njofton për skemën të re mbështetëse për prodhuesit vendorë si lehtësim ndaj masave të reja në sistem
May 21, 2025

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se janë duke finalizuar një skemë të re mbështetëse për të ndihmuar prodhuesit vendorë, në mënyrë që të përballen me liberalizimin e tregut të energjisë.
Sipas ministres, me mbështetjen e LuxDev, bizneset do të përkrahim për:
- Izolim të ndërtesave,
- Sisteme solare fotovoltaike për prodhim të energjisë,
- Sisteme solare termike për ngrohje të ujit,
- Bateri për sisteme solare si dhe
- Rregullatorë të fuqisë reaktive që ulin konsumin e energjisë reaktive dhe rrisin efiçiencën e pajisjeve që veçmë përdoren nga ndërmarrjet”
Rizvanolli shkroi tutje se “Kjo do të thotë më pak kosto energjie, më shumë konkurrueshmëri dhe më shumë siguri për çdo biznes që prodhon në Kosovë”.
“Për këto dhe masa të tjera që Qeveria mund të ndërmarrë për t’u qëndruar pranë prodhuesve vendorë, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari diskutuam me përfaqësues të odave e bizneseve vendore në Forumin “Liberalizimi i Tregut të Energjisë Elektrike: Efektet dhe Masat Lehtësuese”, pjesë e Platformës për Dialogun Publiko-Privat”, ka pohuar ajo.
Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet partner i afërt i sektorit privat, si në përballjen me sfidat, ashtu edhe në rritjen e tij.
“Prandaj, diskutime të tilla janë kyçe për të identifikuar nevojat specifike të bizneseve në mënyrë që të hartojmë politika dhe të ndërmarrim masa për t’i targetuar specifikisht ato”.
Kjo masë vlersohet si absurde nga deputetja Bajrami
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Qeveria po e menaxhon procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për bizneset vendore dhe qytetarët e zakonshëm.
“Kërkesa e bizneseve është e thjeshtë – të shtyhet për një vit vendimi për liberalizim të tregut të energjisë. Kaq,” ka deklaruar Bajrami përmes një reagimi në Facebook.
Megjithatë, ajo kritikon që në vend të adresimit të kësaj kërkese konkrete ministrat kanë ofruar zgjidhje që ajo i cilëson si absurde.
“Merreni me mend: një metal përpunuesi te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, këta i thonë ta izolojë ndërtesën dhe të ndihmojnë me vokë ujin. Kaq dinë ose kaq mund të thonë, pasi veç prioritet prodhimin vendor nuk e kanë” shtoi ajo.
Deputetja Bajrami kritikoi po ashtu mënyrën si Qeveria i trajton bizneset tregtare, duke thënë se ata justifikohen me faktin se nuk subvencionojnë “korporata që fitojnë qindra miliona euro”, pa kuptuar se ndikimi real do ta bartin qytetarët me të ardhura të ulëta.
/Telegrafi