Ministrja Rizvanolli në takim me ambasadorin e Japonisë – Diskutohet për bashkëpunim në sektorin e energjisë
September 29, 2025

Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ka pritur në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovës, Kiminori Iwama.
Gjatë këtij takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, minierat, si dhe sektorë të tjerë me potencial zhvillimi.
Një pikë qendrore e bisedës ishte Forumi i Biznesit për Mjedisin, Energjinë dhe Infrastrukturën, i cili do të mbahet në nëntor në Kosovë. Ky forum pritet të sjellë kompani japoneze të interesuara për të investuar dhe për të krijuar bashkëpunime me bizneset kosovare, një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes bizneseve të dy vendeve.
Ministrja Rizvanolli ka paraqitur progresin e dukshëm të treguesve ekonomikë që Kosova ka arritur vitet e fundit, duke theksuar se këto rezultate përbëjnë një mundësi tërheqëse për investitorët japonezë.
Ambasadori Iwama ka përgëzuar arritjet dhe shprehu gatishmërinë e Japonisë për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe.