Ministrja Rizvanolli: Bllok tarifat ulën konsumin për 5%
May 31, 2022

Në fjalën e saj hyrëse në Javën për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, Ministrja Artane Rizvanolli ka diskutuar edhe për tarifat e reja të energjisë elektrike, të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Duke theksuar se shpreson që çështjet ligjore të zgjidhen sa më shpejtë, në mënyrë që sektori i energjisë të ndjejë dëmin sa më të vogël të mundshëm, Rizvanolli theksoi se bllok-tarifa e vendosur nga ZRRE ka bërë punën e vet.
Ministrja e Ekonomisë shpjegoi se konsumi i energjisë elektrike është ulur me 5% falë bllok-tarifës.
“Këtu në mesin e krejt sfidave, krizës që kemi pasur vitin e kaluar jam e lumtur të ndajë me ju një informatë që bllok-tarifa tanimë e ka pasur efektin e saj. Tanimë shohim një ulje të konsumit për energji prej 5% në krahasim me atë që ka qenë e planifikuar”, nënvizoi ajo.
“Unë kam besim të plotë që sistemi ynë gjyqësor do të vendos drejt për cështjen meritore, sa i përket tarifave”, theksoi ajo.
“Dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrë që dëmi që i bëhet sektorit ndërkohë të jetë sa më i ulët”, tha Rizvanolli.

ZRRE ftohet të prezantojë shqyrtimin e tarifave si praktikë të mirë ndërkombëtare
Në fjalimin e saj hyrës, Ministrja Rizvanolli prezantoi edhe planet dhe shtyllat e strategjisë së ardhshme energjetike, që ka për synim tranzicionin e drejtë energjetik.
Ndryshe, Java për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë po shënon vitin e pestë të organizimit të saj.
Edicioni i këtij viti do të mbahet deri më 10 qershor dhe organizohet në partneritet mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, GIZ, Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF).

Osmani: Kemi nevojë për zgjidhje të shpejta për sigurinë e furnizimit me energji
