Search

Ministria e Financave ngrinë projektin për energji efiçente në Prizren

29 Prill, 2021


Qeveria qëndrore, përkatësisht Minsitria e Financave, ka anuluar vendimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit për marrje të kredisë prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat ishin planifikuar të alokoheshin për projektin për energji efiçente në 100 objekte publike në atë komunë.

Projekti përfshinte renovimin e planifikuar edhe ndërrimin e dyerve e dritareve, izolimin e kulmeve e mureve e zëvendësimin e llampave me LED e po ashtu sisteme të reja të ngrohjes. Gjitha investimet kapin vlerën prej 7.5 milionë eurosh, prej të cilave 5 nga BERZH.

Mirëpo, në një prononcim kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, ka sqaruar se arsyetimi që ka pranuar nga Ministria përkatëse ka të bëjë më mospërmbushjen e kushteve që parashihen në nenin 30 të Ligjit për Borxh Publik, dhe kriterin që komuna nuk mund të hyjë në borxhe afatgjata për një periudhë prej 6 muajsh para zgjedhjeve komunale.

“Arsyetimi që kemi pranuar nga Ministria është se nuk janë përmbushur kushtet që parashihen në nenin 30 të Ligjit për Borxh Publik, mungesën e përfshirjes së projektit në kornizën afatmesme të shpenzimeve si dhe kriterin që komuna nuk mund të hyjë në borxh afatgjatë për një periudhë prej 6 muajsh, para zgjedhje komunale”, ka thënë kryetari i komunës së Prizrenit, Haskuka.

Në anën tjetër, opozita në këtë komunë duket se i është gëzuar këti lajmi, teksa kanë sqaruar se komuna ka pasur fonde të mjaftueshme të mbetura për të realizuar projektin dhe nuk është dashur të hyjnë në ‘fajde’.

Tutje, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, poashtu kanë thënë se edhe po të merreshin paratë nuk kanë pasur besim që projekti do të realizohej.

Në një përgjigje me shkrim për Klan Kosova, kryetari i Prizrenit ka thënë se janë pajtuar me propozimin e ministrit të financave, Hekuran Murati, që projekti të realizohet sipas planifikimit, porse financimi i kredisë me BERZH të bëhet përmes dikasterit që udhëheq Murati, Ministrisë së Financave.