Search

Ministri Kuçi: Thëngjilli mbetet lënda kryesore për prodhimin e energjisë në Kosovë

September 01, 2020


Në videon e fundit të postuar nga Korporata Energjetike e Kosovës rreth projekteve të fundit investive të zgjerimit të mihjes së thëngjillit, Ministri i Ambientit dhe Ekonomisë, Blerim Kuçi, edhe njëherë konfirmon drejtimin e Kosovës për shfrytëzimin e qymyrit për të prodhuar energjinë elektrike.

Sipas Ministrit Kuçi, thëngjilli mbetet lënda kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

‘Ne si Qeveri kemi si objektiv përkrahjen e KEK-ut që të vazhdojë me hapat dhe procedurat për investime në zgjerimin e mihjes. Pasi thëngjilli mbetet lënda kryesore për prodhimin e energjisë në vend’, ka thënë Ministri Kuçi në videon e postuar nga KEK.

Zgjerimi i sipërfaqeve të mihjeve të KEK po bëhet me qëllim të sigurimit të sasive të mjaftueshme të thëngjillit, për të mundësuar furnizim të sigurtë me energji elektrike në Kosovë.

Gjatë një interviste të mëparshme, Ministri Kuçi ka thënë se qymyri është shumë i rëndësishëm për sektorin e energjisë dhe sigurinë energjetike në vend, dhe se bashkë me projekte të energjisë së ripërtëritshme, qymyri mbetet i vetmi burim energjetik që mund të sigurojë prodhim stabil të energjisë elektrike për nevojat e konsumatorëve në Kosovë,

Këto komente Ministri i ka bërë teksa po komentonte rreth mundësisë së kthimit të investitorit ContourGlobal në projektin e ndërtimit të termocentralit të ri ‘Kosova e Re’.