Search

Ministri Aliu: Të gjitha shqetësimet për hidrocentralet do të trajtohen me hollësi

22 Prill, 2021


Ministri i Mjedisit në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, me rastin e Ditës së Tokës ka vizituar Komunën e Shtërpcës, prej ku, nga afër ka parë ndërtimet që janë bërë në shtratin e lumit Lepenc me qëllim të furnizimit të hidrocentraleve.

Ministri Aliu ka paralajmëruar diskutime me të gjitha palët e interesit, përfshirë kompanitë që kanë ndërtuar hidrocentrale, qytetarët dhe zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, për të parë se cila është situata dhe për të vendosur rregull.

‘Ne kemi zgjedhë që në Ditën e Tokës të vijmë në Komunën e Shtërpcës dhe i vizituam tre lokacione tjera deri tek ky I fundit ku ndodhemi tash, në fshatin Biti e poshtme. Këtë lokacion e përzgjodhëm pasi këtu në këtë vend kanë qenë shumë qytetarë që kanë protesu kundër këtij hidrocentrali. Kanë qenë edhe qytetarë serbë por edhe shqiptarë, të organizuar bashkë, në përpjekje për të ndalur degradimin e lumit Lepenc nga ndërtimi I hidrocentralit dhe futjes së gypave përgjatë shtratit të lumit. Uji i lumit do të futet në gypa për të furnizuar hidrocentralin për të prodhuar energji elektrike’, ka thënë Ministri Aliu.

Ministri Aliu: Kompanitë e hidrocentraleve e lëshojnë ujin vetëm gjatë vizitave të paralajmëruara

Ai ka thënë se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët që kanë shprehur brenga, dhe thotë se kjo vizitë e tij në Shtërpcë është nxitur pikërisht nga guximi qytetar për të shprehur pakënaqësitë me ndërhyrjet që janë bërë në shtratin e lumit Lepenc.

Për dallim nga vizita e paralajmëruar për sot, Ministri dje kishte vizituar hidrocentralet në afërsi të Shtërpcës pa paralajmërim.

Kjo pasi një numër banorësh kishin raportuar se atëherë kur paralajmërohen vizita zyrtare nga Ministria, operatorët e hidrocentraleve e lejojnë rrjedhën normale të ujit, ndërsa situata ndryshon pas largimit të tyre.

‘Një ndër vërejtjet kryesore nga qytetarët dhe organizatat kanë qenë se sa herë që lajmërohet inspektorati që do të vijë dhe do të vizitojë lumin, hidrocentralet dhe ndikimet, atëherë gjithmonë para se të vijnë ata këtu lëshohet uji. Ne kemi shkuar tek të gjitha lokacionet pa paralajmërim dhe kemi fotografuar lumin me pamjen ashtu sic është. Kjo është foto e këtij lumi në ditën e djeshme, dje kishe shumë pak ujë. Sot lumi rrjdhë në mënyrë normale, ashtu sic duhej të ishte dhe sic është’, ka sqaruar Ministri Aliu përmes fotove.

‘Në lokacionin ku ishim më herët tek struktura e betonit, bashkë me zyrtarët tjerë të Ministrisë ne dje kemi kaluar lumin në këmbë, por kjo sot ishte e pamundur për shkak të ujit. Kjo është një vërejtje shumë e rëndësishme dhe konfirmon shumicën e ankesave që kanë bërë qytetarët’, ka sqaruar Ministri tutje.

Ministri Aliu: Hidrocentralet do të rishikohen, nuk anashkalohet mundësia e ‘moratoriumit’

Ministri ka thënë se është shqetësuar shumë pasi kishte parë gjendjen, dhe tha se ‘Ministria nuk do të mund të mbyllë sytë dhe nuk mund të mbyllë veshët krahas reagimit kaq të zëshëm të qytetarëve’.

Ai ka thënë se të gjitha proceset në lidhje me hidrocentrale do të rishikohen, përmes një procesi gjithpërfshirës në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e kompanive.

‘Para takimit me ta, natyrisht se do të flasim me zyrtarët e Ministrisë për të parë se cilat janë hapat e tyre. A ka inspektorat? A ka raporte të iunspektoratit? A ka raporte të Ministrisë? A ka vlerëisme të mirëfillta të ndikimit në mjedis? Si janë lëshuar lejet ujore? Si janë lëshuar lejet mjedisore? Si janë lëshuar pëlqimet mjedisore dhe ujore dhe mbi cfarë bazash? A ka studim të mirëfilltë që ka të bëjë me nevojat e qytetarëve për ujë, bujqësi?’, ka thënë Ministri.

Ai është shprehur i shqetësuar rreth raporteve të qytetarëve për pamundësinë e shfrytëzimit të ujit të lumit Lepenc për aktivitete bujqësore, për të cilat sipas Ministrit ata janë subvencionuar nga vetë Ministria e Bujqësisë.

‘Pra në njërën anë Ministria e Bujqësisë ka subvencionuar prodhimet e tyre, në anën tjetër kishim këto zhvillime që mbase mund të rrezikojnë produktet e tyre bujqësore. Të gjitha këto duhet të shqyrtohen dhe natyrisht që Minisitria do të duhej të marrë vendimet dhe të krijojë komisione të cilat këto brenga të qytetarëve dhe të gjitha ato lëndë do t’I shqyrtojnë në hollësi’, ka thënë Ministri, ndërsa ka shtuar se do të përpiqet të baraspeshojë zhvillimin ekonomin në njërën anë dhe mbrojtjes së mjedisit në anën tjetër, ‘në mënyrë që zhvillimi jon ekonomik të jetë i qëndrueshëm’.

Ai nuk ka përjashtuar moratoriumin për hidrocentrale, por ka thënë se i njejti do të konsiderohet vetëm pasi të bëhen shqyrtimet themelore.

‘Natyrisht që do të shqyrtojmë bashkë me zyrtarët dhe strukturat e ministrisë që kanë qenë të përfshira në gjithë këtë proces, dhe në diskutim me to nëse vlerësohet se ka degradim, moratoriumi mund të jetë dicka shumë e nevojshme para se të veprojmë tutje’, ka thënë Ministri, ndërsa ka premtuar se do të përfshijë edhe operatorët në procesin e rishikimit.

Ai ka paralajmëruar edhe vendime nga Ministria dhe krijime të komisioneve ku do të trajtohen me hollësi të gjitha shqetësimet e qytetarëve. Aliu thotë se duhet mbajtur një barazpeshë, në mes të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit.

“Të gjitha këto do të shqyrtohen dhe mbase ministria duhet të marrë vendimet, dhe të krijojë komisione, që brengat e qytetarëve dhe gjithë ato lëndë, ti shqyrtojnë në hollësi. Do të përpiqemi që ta bëjmë detyrën tonë. Ta mbajmë një barazpeshë, në mes të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit.”, ka shtuar tutje.

Zëvendës Ministrja Çavdarbasha: Do të formohet Komisioni që do të rishikojë hidrocentralet

Bashkë me Ministri Lundrim Aliu në vizitë tek hidrocentralet në Shtërpcë po merrte pjesë edhe Zëvendës Ministrja për Mjedis, Infrastrukturë dhe Planifikim Hapësinor, Linda Çavdarbasha.

Sikurse edhe Ministri, edhe zëvendës ministrja ka konfirmuar inofmratat për formimin e një komisioni të veçantë për të rishikuar të gjitha hidrocentralet.

‘Do të rishikohen të gjitha procedurat, nga momenti kur janë marrë leje ujore dhe procedurat nga departamentet përkatëse në Ministri, deri te momenti i funksionimit. Të gjitha kanë me u rishiku kanë me u shiqu shqetësimet e banorëve si kanë qenë, ato të operatorëve por edhe tonat në mënyrë që me dal me një përfundim që është më i miri për të gjithë ne’, ka thënë Zëvendës Ministrja gjatë vizitës.

I pyetur rreth pretendimeve se nga Ministria e Ambientit do të lëshohet leje për KELKOS-in për të ndërtuar në Lumbardh të Pejës, ministri Aliu ka thënë se me 14 shkurt ka ndodhur ndryshim i madh, që nënkupton vendosje të rendit.

Ai tha se s’mund t’iu cenohet qytetarëve buka e gojës në emër të zhvillimit ekonomik.

“Në zgjedhjet e 14 shkurtit ka ndodhur një ndryshim i madh. Ky rezultat ka ardhur nga hidhërimi i madh i qytetarëve. Pra kemi të bëjmë me një situatë të re. Është e domosdoshme të vendoset rend, si në procedura të lëshimit të lejeve. Ndryshimi nënkupton vendosje të rendit. Ne e kemi parasysh zhvillimin ekonomik, në mënyrë që edhe komponentat mjedisore të plotësohen. Nuk mund t’ua cenojmë qytetarëve bukën e gojës, në emër të zhvillimit ekonomik. Nëse ka degradim, ne këtu do të vendosim rend. Nuk do të ndalemi, derisa të vendosim rend”, ka përfunduar ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.