Minining i Kriptovalutat i lejuar – Me kusht që nuk përdoret energji nga rrjeti i rregulluar
September 09, 2025

Prodhimi i kriptovalutave, i njohur si “mining”, tashmë është i lejuar në Kosovë vetëm në rastet kur përdoren burime alternative të energjisë elektrike, në përputhje me liberalizimin e tregut të energjisë. Aktiviteti mbetet i ndaluar për ata që furnizohen nga rrjeti universal publik.
Këtë e ka konfirmuar për emisionin “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, ish-kryetarja e Grupit Punues parlamentar për Ligjin për Kriptoasetet, Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se ndalimi i “mining” për ata që përdorin energji nga rrjeti universal vazhdon të mbetet në fuqi, ndërsa përjashtimi është vetëm nëse operatorët sigurojnë burime të tjera të energjisë, përfshirë edhe tregun e liberalizuar të energjisë.
Për të sqaruar nëse tani “mining” është zyrtarisht i lejuar për ata që furnizohen nga tregu i liberalizuar, KosovaPress ka dërguar pyetje zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Më 4 janar 2022, ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli pati shkruar se me rekomandim Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, “kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për kriptoasetet, por zbatimi i plotë i tij varet nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila duhet të themelojë njësinë e posaçme për mbikëqyrjen dhe rregullimin e këtij sektori. E për të parë deri ku ka shkuar procesi, KosovaPress ka dërguar pyetje tek ky institucion, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Deputetja, Mimoza Kusari-Lila thotë se “Mining” nuk lejohet në rast se ka të bëjë me furnizimin me energji elektrike nga rrjeti universal. Por, ajo ka treguar se përjashtimi i vetëm për mining është në rast se bizneset ose operatoret arrijnë të sigurojnë burime tjera të energjisë elektrike, ose sipas tregut të liberalizuar.
“Ligji për kriptoasetet tashmë vetëm është në fuqi. Është miratuar në dy leximet në legjislaturën e kaluar në afatet e rregullta. Ndërsa tash për hyrjen në plotni të zbatimit të ligjit është kompetente BQK e cila duhet të themelojë njësinë e veçantë brenda saj dhe gjithë personelin përgjegjës që duhet të bëjnë mbikëqyrjen e tregut dhe funksionimin e kriptoaseteve…Mining nuk lejohet në rast se ka të bëjë me furnizimin me energji elektrike nga rrjeti universal, ndërsa përjashtimi i vetëm për mining është në rast se bizneset ose operatoret arrijnë të sigurojnë burime tjera të energjisë elektrike, ose sipas tregut të liberalizuar. Tash me liberalizimin e tregut të energjisë nëse furnizohen nga jashtë mund të hyn në proces mining, por jo në sistemin aktual të furnizimit të përgjithshëm…BQK ka qenë në proces të formimit të njësisë, deri ku kanë arrit nuk mund të them, për shkak se ende nuk është konstituar kuvendi me komisionet funksionale që me përcjellë mbikëqyrjen e funksionimit të ligjit”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërsa, sa i përket zbatimit të Ligjit për kriptove, eksperti i teknologjisë së kriptovalutave, Milot Mehmeti, shprehet skeptik ndaj rolit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke theksuar se banka e sheh këtë sektor si konkurrent dhe nuk po e mbështet rregullimin e pavarur të tij.
“(Paska shku në rrugën e gabuar, se në fakt BQK-ja e sheh si konkurrent)…Sepse këta kanë me shty, po mendoj për të rregulluar qysh duhet dhe kanë me përshtat për interesat e tyre. Kështu që këtu është dashur me qene një grup punues i pavarur, i cili i shtyn këtu dhe çon kriptovalutat ku duhet… BQK-ja është e kundërta e asaj që ofrojnë kriptovalutat. Kriptovalutat janë për me hekë ndërmjetësuesin siç është BQK-ja. Domethënë ato janë krijuar në mënyrë që na mos me pas një entitet i cili i kontrollon një mjet të cilin e përdorim për këmbim, domethënë…Është në rregull për të qenë e involvuar BQK-ja, për shkak se transferet që pranohen, do të pranohen veç ato që shkojnë përmes bankës, ato që shkojnë përmes bankës duhet me kanë, të cilat i kanë kapërcyer këto AML-në dhe KYC-in që janë për shpëlarje të parave dhe është gjithçka në rregull”, thekson Mehmeti.
/KP