Mes debatesh miratohet në Këshillin Bashkiak të Roskovecit ndërtimi i Termocentralit me gaz në Shqipëri
April 28, 2024

Bashkia Roskovec është e bindur të jetë pro ndërtimit të Termocentralit në zonën bujqësore të Suk 1.
Paçka se kjo lëvizje është kundërshtuar nga banorë të zonës dhe këshilltarë bashkiakë të majtë e të djathtë.
Këtë të premte të 26 prillit, në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, është miratuar mes debatesh investimi i kundërshtuar nga fermerë të disa fshatrave të Roskovecit e Dimalit.
Këta të fundit madje u ngritën në një protestë ditën e diel.
Ata e kanë cilësuar njëzëri vdekjeprurës ndërtimin e këtij termocentrali në zonën e tyre, duke theksuar se prania e tij do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 hektarësh me sera.
Projekti në fjalë, në mbledhjen e mëparshme të këshillit bashkiak, ka ngjallur debate të shumta dhe është rrëzuar me shumicë nga këshilltarë të majtë e të djathtë.
Të premten, në mbështetje të banorëve i janë bashkuar protestës edhe përfaqësuesit e shoqatave ambientaliste, të cilët e kanë cilësuar këtë investim një bombë ekologjike.
/Albanianpost