Search

​Mbi 80 për qind e ekonomive familjare ngrohen me dru zjarri, deri në 70 euro një metër dru në Prishtinë

September 06, 2023


Druri vazhdon të jetë burimi kryesor i ngrohjes për familjet kosovare, ndërsa qytetarët janë shprehur të shqetësuar për rritjen e çmimit.

Në vendin tonë mesatarisht ngrohen rreth 52.67 metra katror për ekonomi familjare. Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se territori i Kosovës mbulohet 100 për qind me energji elektrike, ndërsa për ngrohje përdoret dru zjarri në mesatare të 82,33 për qind të ekonomive familjare.

“Sa u përket lëndëve djegëse, dru zjarri ishte më i përdorur gjerësisht me një mesatare të përdorur në 82,33 për qind të ekonomive familjare. Po ashtu, vend të konsiderueshëm merr edhe GLN (plin) me 17,8 për qind thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për hulumtimin me të dhëna për Konsumin e Energjisë në Ekonomitë Familjare për vitin 2022.

Sipas ASK-së analizat e energjisë dhe lëndëve djegëse të konsumuara (sipas numrit të amvisërive) treguan se energjia elektrike është përdorur në 100,0% të ekonomive familjare, 4,19% nga ngrohja e blerë nga sistemet e ngrohjes qendrore.

Deri në 70 euro një metër dru në Prishtinë, qytetarët druajnë për një dimër të vështirë

Disa metra larg shkollës “Nazim Gafurri”, dhjetëra kamionë të ngarkuar me dru po qëndrojnë aty. Ekonomia Online ka qëndruar për të pyetur për çmimin e tyre. Ndonëse nuk u prononcua askush nga shitësit, prapa kamerës thanë se çmimi sillet nga 65 deri në 70 euro për metër.

Çmimet e larta ka bërë që të bijë edhe interesimi i qytetarëve për furnizim.

Çmim i shtrenjtë po i duket edhe qytetarit Hasan Shkodra. Tha se i posedon edhe disa metra të blerë nga viti i kaluar.

“I shtrenjtë. Ende nuk i kam blerë por i kam disa që i kem blerë vjet por me marr dimri i rëndë, ndoshta shtrenjtohen ende. Nuk kemi çfarë të bëjmë, me diçka duhet me u nxeh”, tha Shkodra për Ekonomia Online.

Edhe një qytetar tjetër prapa kamerës, tha se çmimi është i lartë dhe se druan për një dimër të vështirë.

Edhe përkundër kësaj, në shumë lagje të kryeqytetit blerësit vazhdojnë të jenë prezentë.