Mbështetje deri në 25,000€ për biznese përmes skemës së granteve për energji të pastër
September 19, 2025

Prezantohet zyrtarisht skema e granteve për energji të pastër, ku ofrohet mbështetje për ndërmarrjet prodhuese në vlerë deri në 25 mijë euro për biznese.
Është bërë prezantimi zyrtar i skemës së granteve për energji të pastër, me një mbështetje për ndërmarrjet prodhuese në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, e financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Në këtë ceremoni morrë pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë dhe përfaqësues nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
“Po i përkrahim prodhuesit vendorë si shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit, e në të njëjtën kohë si sektori më konsumues i energjisë, të cilët, si rrjedhojë, preken më së shumti nga kostot e energjisë. Prandaj, përmes kësaj skeme po ju kushtojmë përkrahje të veçantë ndërmarrjeve, të cilat kanë dalur në treg të hapur të energjisë elektrike”, u shpreh Kryeministri.
Ministrja Rizvanolli tha se me Skemën e Granteve për Energji të Pastër, po i japin bizneseve një mbështetje konkrete që do t’i ndihmojë të ulin kostot e energjisë, të rrisin konkurrencën dhe të përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar.
Ndërsa, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se nga kjo skemë do të përfitojnë ndërmarrjet e mikro-të vogla dhe të mesme, me fokus ndërmarrjet më të prekura nga liberalizimi i tregut të energjisë.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, u shpreh se me këtë skemë po shënohet një hap për zotimin afatgjatë të Luksemburgut në fuqizimin e sektorit privat dhe përkrahjen ndaj rritjes ekonomike të qëndrueshme.
Kjo skemë kap shifrën prej 1 milion euro dhe financohet nga Qeveria e Luksemburgut, dhe zbatohet nga KIESA në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev.
Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:
- Efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
- Sisteme solare fotovoltaike,
- Sisteme solare termike (për ngrohje të ujit),
- Bateri, si dhe
- Shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.
Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë mbështetje deri në 20,000€ për një masë të vetme dhe deri në 25,000€ për masa të kombinuara.
Përveç financimit, skema do të ofrojë edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit, duke siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata, ka lamëruar ministria e ekonomisë.