Search

Mbahet Seanca gjyqësore kundër ZRRE – Gjykata ende nuk ka vendim

November 06, 2025


Ditën e djeshme, në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me padinë e iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës kundër ZRRE-së, në lidhje me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Avokati i OEK-ut, Ekrem Hoxha, gjatë seancës ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut nuk ka respektuar ligjin dhe direktivat evropiane, duke shkaktuar dëme materiale për komunitetin e bizneseve.

Ai tha se vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji kanë favorizuar operatorë të caktuar privatë dhe nuk kanë garantuar konkurrencën reale dhe furnizimin e duhur me energji elektrike për konsumatorët.

Ndërkaq, pas seancës është deklaruar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Fakte të paqëndrueshme dhe vendime që nuk përputhen me ligjin dhe direktivat e BE-së kanë ndikuar drejtpërdrejt në bizneset e Kosovës. Ne besojmë se Gjykata Supreme do të shqyrtojë të gjitha provat dhe do të vendosë një vendim të drejtë, që mbron interesat e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai.

Nga OEK kanë shprehur besimin se drejtësia do të mbrojë komunitetin e biznesit dhe do të sigurojë që proceset e liberalizimit të tregut të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe parimet e transparencës dhe konkurrencës së drejtë.

/Telegrafi