Search

Mbahet edicioni i 2-të i Forumi për Investime të Qëndrueshme në Prishtinë

May 27, 2025


Këshilli i Investitorëve Evropian dhe Banka ProCredit bashkëorganizuan edicioni e dytë të Forumit për Investime të Qëndrueshme.

Ngjarja vuri në qendër të diskutimeve çështjen e dekarbonizimit dhe objektivave klimatike neto-zero për sektorin privat në Kosovë, me theks të veçantë në fuqizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-ve).

Forumi mblodhi mbi 200 pjesëmarrës nga institucione publike dhe ndërkombëtare, organizata zhvillimore, ekspertë të sektorit dhe biznese, ku shumica përfaqësonin NMVM-të, të cilat përbëjnë rreth 90% të sektorit privat në vend.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, potencoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla e ekonomisë së Kosovës dhe duhet të jenë në qendër të tranzicionit të gjelbër.

Ai theksoi se rritja e qëndrueshme, reforma në energji dhe integrimi evropian janë procese që ecin krah për krah.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, foli mbi rëndësinë e menaxhimit të rreziqeve klimatike dhe nevojën për të promovuar financimin e gjelbër si element thelbësor për stabilitetin financiar dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, potencoi se tranzicioni i gjelbër për Kosovën nuk është një agjendë e jashtme, por një mundësi e brendshme për zhvillim – për krijimin e vendeve të punës, modernizimin e industrive, tërheqjen e investimeve dhe përafrimin me standardet evropiane.

Ndërsa Kryeshef Ekzekutiv i Bankës ProCredit, Visar Paçarada theksoi se “qëndrueshmëria nuk është vetëm një avantazh strategjik – është një përgjegjësi e përbashkët. Roli i bankave në tranzicionin e gjelbër do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Nuk mjafton më vetëm të ofrojmë financim – ne duhet të bëhemi partnerë në tranzicionin klimatik, duke i pajisur klientët me mjetet, njohuritë dhe nxitjet që u duhen për të pasur sukses në një ekonomi me emetime të ulëta karboni”, tha ai.

“Në fund të fundit, synojmë që tranzicioni i gjelbër (Neto-Zero) të jetë një mundësi, jo një pengesë, për klientët tanë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të) – një mundësi për t’u modernizuar, për të ulur kostot, për të fituar avantazh konkurrues dhe për të garantuar që modelet e tyre të biznesit të jenë të qëndrueshme në një ekonomi evropiane të ndërgjegjshme ndaj karbonit”,shtoi Paçarada.

Efektet e tregut të Karbonit në Kosovë

Gjithashtu, në kuadër të forumit, Banka ProCredit prezantoi projektin e saj me te ri: kalkulatori i CO₂ i cili u mundëson klientëve të biznesit të matin dhe të raportojnë emetimet si dhe të krahasojnë performancën e tyre mjedisore me mesataren vendore.

Ky kalkulator do të jetë i qasshëm online dhe do të ofrohet falas për të gjitha bizneset.

Në sesionin e pasdites, u diskutua ndikimi i mekanizmit të ri të Bashkimit Evropian, CBAM, mbi eksportet energjetike të Kosovës, si dhe përvoja e Kanadasë në tranzicionin energjetik dhe mundësitë për mbështetjen e NMVM-ve në këtë rrugëtim.

Forumi u përmbyll me thirrjen për bashkëpunim rajonal më të ngushtë, harmonizim të prioriteteve të përbashkëta dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën, me sektorin privat në rol qendror të këtij transformimi.

/Telegrafi