Mali i Zi subvencionon panele solare dhe sisteme te ngrohjes për komunat
February 23, 2024

Eko Fondi në Mal të Zi ka përgatitur subvencione në vlerë prej 150 mijë eurove për komuna për instalimin e paneleve solare, pompave të ngrohjes si dhe sistemeve të ngrohjes me pelet.
Komunat kanë kohë deri më 7 maj të dërgojnë propozimet e tyre në thirrjen publike të lansuar nga Eko Fondi për blerjen dhe vendosjen e sistemeve fotovoltaike dhe të atyre të ngrohjes qendrore në ndërtesat e tyre.
Komunat mund të aplikojnë për vendosjen e impianteve solare me kapacitet deri në 999 kW si dhe sistemeve të ngrohjes me kapacitet deri në 500 kW.
Subvencionet do të mbulojnë deri në 60% të shpenzimeve dhe nuk duhet të tejkalojnë 37,500 euro për panele solare dhe 35 mijë euro për sistemet e ngrohjes.
Eko Fondi ka thënë se këto projekte do të ndihmojnë në përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe do të nxisin vendosjen e masave të eficiencës së energjisë dhe zvogëlimin e emetimeve të CO2.
Për më shumë, subvencionet do të ndihmojnë edhe në uljen e faturave të energjisë elektrike të komunave, kanë thënë nga Eko Fondi.