Search

Mali i Zi mund të detyrohet të mbyllë termocentralin me qymyr ‘Pljevlja’ në fillim të vitit 2021

29 Dhjetor, 2020


Për shkak të tejkalimit të kufizimit të lejuar të operimit prej 20,000 orëve me ndotje të lartë, termocentrali me qymyr ‘Pljevlja’ në Mal të Zi po ballafaqohet me mundësinë e mbylljes në mes të janarit 2021.

Pak para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, Ministri i Investimeve Kapitale në Mal të Zi, Mladen Bojanic, konfirmoi se është njoftuar mbi mundësinë e mbylljes së parakohshme të këtij termocentrali.

Gjatë muajit tetor, organizata jo-qeveritare ‘Green Home’ ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe ndërmarrja shtetërore e energjisë elektrike – EPCG, të publikojë informatat dhe të draftojë plan për termocentralin në Pljevlja, pas përfundimit të orëve të lejuara të operimit të këtij të fundit.

Duke u bazuar në kalkulimet e Komunitetit të Energjisë të publikuara gjatë muajit korrik, sipas të cilave termocentrali në Pljelvlja kishte tejkaluar orët e lejuara të operimit në nëntor 2020, Green Home kishte paralajmëruar se mbyllja e termocentralit mund të kërkohet të bëhet para datës së planifikuar.

Qeveria e Malit të Zi kishte thënë se nga 1 janari 2018 e deri më 31 dhjetor 2019, termocentrali kishte operuar për vetëm 13,809 orë, ndërsa orët tjera të lejuara të operimit ishin 6,191. Duke u bazuar në këtë të dhënë, kompania shtetërore e energjisë elektrike EPCG kishte planifikuar rindërtimin dhe azhurnimin mjedisor të termocentralit në periudhën 2019 – 2023.

Në qershor, EPCG ka nënshkruar kontratë për rindërtimin e termocentralit me konsorciumin kinez të udhëhequr nga Dongfang Electric Company. Sipas kontratës, termocentrali duhej rindërtuar brenda 39 muajve, pas datës së nënshkrimit.

Rindërtimi në shumë prej 54.4 milion eurosh do mundësonte operimin e këtij termocentrali edhe për 20 vite dhe do të siguronte operimin e termocentralit në pajtim me parametrat për mbrojtje të mjedisit të përcaktuara nga BE.

Mali i Zi do të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, po përballet me kërkesa për kompensim në vlerë prej 50 milion eurosh

Ndërsa po fliste me gazetarët, Ministri Bojanic kritikoi qeverinë paraprake në Mal të Zi për politikat katastrofale të hidrocentraleve të vogla.

Si rezultat i dhënies së dyshimtë të koncesioneve ujore për hidrocentrale të vogla, përvec shkatërrimit të mjedisit, qeveria e re në Mal të Zi po përballet edhe me kërkesa për kompensim prej më shumë se 50 milion euro.

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, më herët ka konfirmuar se qeveria e tij do të ndalojë përgjithmonë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në këtë vend dhe se të gjitha marrëveshjet ekzistuese dhe koncensionet ujore do të rishikohen.

Termocentrali ‘Pljevlja’

Termocentrali në Pljevlja është i vetmi termocentral me qymyr në territorin e Malit të Zi. Termocentrali me kapacitet të instaluar prej 210 megavatësh ka filluar operimin në vitin 1982 dhe për momentin mbulon një të tretën e kërkesës për energji elektrike në Mal të Zi.

Për shumë gjatë, Mali i Zi ka planifikuar të ndërtojë njësinë e dytë të termocentralit. Vlera e paraparë e investimeve ishte vlerësuar të jetë 366 milion euro.

Tri kompani ishin përzgjedhur në listën e ngushtë për ndërtimin e njësisë së dytë, duke përfshirë CMEC nga Kina, China Hubei Electric Power Survey & Design Institute dhe Skoda Praha.

Në janar të vitit 2018, gati një vit pas tërheqjes së Czech Export Bank nga financimi i projektit, kompania e përzgjedhur – Skoda Praha, kishte dështuar të siguronte mjetet financiare për ndërtimin e njësisë së dytë.

Përfundimisht, në shtator të vitit 2019 qeveria e Malit të Zi kishte anuluar ndërtimin e njësisë së re, dhe kishe fokusuar përpjekjet në rindërtimin e njësisë ekzistuese.