Search

Mali i Zi drafton projektligjin për energji të ripërtëritshme, përcakton edhe rregullat për ankandet

February 22, 2024


Mali i Zi ka përgatitur projektligjin për burime të ripërtëritshme të energjisë, që sjellë shumë risi, duke përfshirë edhe ankandet dhe tarifat nxitëse.

Ministria e Minierave dhe Energjisë në Mal të Zi ka organizuar tri diskutime në Podgoricë në lidhje me këtë projektligj.

Ndryshe, kohë më parë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që këshillon qeverinë malazeze, ka thënë se ky vend mund të lansojë ankandet e para për burime të ripërtëritshme të energjisë në vitin 2025, raporton Balkan Green Energy News.

Përmes projektligjit, ministria tashmë ka plotësuar obligimet ndaj Komunitetit të Energjisë për të transpozuar dhe zbatuar direktivën evropiane për energji të ripërtëritshme (2018/2001). Kjo direktivë përcakton kornizën për promovim të burimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe objektivat për pjesëmarrjen e këtyre burimeve në konsumin e përgjithshëm deri në vitin 2030, për të gjitha palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë.

Mali i Zi ka thënë se deri më 2030 rreth 50% e energjisë së konsumuar në vend do të jetë nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa projektligji i ri përcakton aktivitetet për të arritur këtë qëllim, përcjell Kosovo.Energy.

Dokumenti gjithashtu përcakton rregullat për përkrahje financiare, ato për vet-prodhuesit, për përdorimin e energjisë së ripërtëritshme në sektorët e ngrohjes, ftohjes dhe transportit, si dhe rregullat për garancitë e origjinës.

Ky projektligj gjithashtu përcakton kriteret për biokarburantet, biolëngjet dhe lëndët djegëse nga biomasa, me qëllim qëndrueshmërinë dhe zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë.

Ministria ka thënë se projektligji i përgatitur po kalon një procedurë të përshpejtuar të miratimit për të mundësuar qasjen e Malit të Zi në fondet e BE si dhe në kreditë financiare të favorshme nga Banka Botërore.