LVV hedh poshtë akuzat lidhur me tregtimin e energjisë elektrike me Serbinë
December 05, 2025

Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka folur lidhur me deklaratat dhe akuzat për importin e energjisë elektrike nga Serbia.
Muja ka thënë para gazetarëve se kanë një ‘mega file’ me të dhëna për blerjet, shitjet dhe kontratat që kanë të bëjnë me energjinë elektrike.
“Pas vështrimit të gjithë sektorit dhe sistemit në pesë vitet e fundit ajo çfarë qytetarët e Kosovës dhe ju si gazetarë duhet të informoheni dhe për këtë bashkë me kolegun Arlind Manxhuka e kemi një mega file të të gjitha blerjeve, shitjeve dhe kontratave të energjisë elektrike për vend edhe për furnitor që nga viti 2008.
Do të jetë e qasshme për ju që njëherë e mirë ta sqaroni dilemën e akuzave dhe propagandës opozitare që ne e gjykojmë është për të mbuluar krimin, qoftë përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë në këto kontrata, por edhe për të mbuluar fajin politik për dëmin që ua kanë bërë qytetarëve për shkak të një politike të gabuar të energjisë elektrike që nga 2006, e posaçërisht në 2008, kur morën me vendim PDK-ja dhe LDK-ja për privatizimin e KEDS-it, e posaçërisht pastaj nga viti 2013-ta kur projekti i tyre për privatizimin e furnitorit të energjisë elektrike dhe distributorit mori jetë”, tha ai.
Sipas tij, akuza se më 28 nëntor Kosova ka importuar energji elektrike nga Serbia është e pavërtetë.

“Në fakt që nga koha kur kemi ardh ne, e kaltra nga 2008 deri diku kur ne kemi ardh në pushtet është importi i energjisë elektrike nga Serbia. Po, Kosova ka dominuar, importi i energjisë elektrike nga Serbia ka qenë prevalent dhe furnitorët nga Serbia kanë qenë dominues në tregun e Kosovës deri në kohën kur ne kemi ardh në pushtet. Padyshim, qoftë përmes kontratave të drejtpërdrejta që i kanë nënshkruar akterët kryesorë të KEK-ut… akterë që sot dalin në intervista dhe akuzojnë për energji i kam kontratat që ata kanë pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë… dhe pastaj nga 2020 e këndej, fillimisht Sllovenia dhe në tri katër vitet e fundit është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Danimarka përbëjnë 94-95% të gjithë importit të energjisë elektrike”, tha ai.
Sipas tij, pra vendi kah po buron energjia elektrike të cilët konsumatorët e Kosovës po e përdorin është Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka.
Ai tutje tha se pjesëmarrja e Serbisë në tregun gjatë importit të energjisë elektrike në vitin 2025 është më pak se 1%.
“Këto janë të dhëna që i kemi marrë deri dje”, tha ai.
Ai po ashtu foli rreth rastit të ‘NOA Energji’.
Sipas tij, Hykmete Bajrami dhe përfaqësues tjerë nga LDK vazhdimisht në Kuvend i kanë akuzuar për rastin NOA Energji.
“Më lejoni të ju them pa asnjë dyshim dhe mirëpresim çfarëdo hetimi që ka nga çdo institucion, në fakt i rekomandoj edhe Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje se kush ishin akterët që e sollën NOA energji në Kosovë. Asnjë zyrtarë i LVV-së, as nga Qeveria dhe as nga Kuvendi nuk ka lidhje me NOA energji.,.. në fakt unë i pash kontratat se kush e solli NOA në Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, kontrata është nënshkruar në janar të vitit 2018.
“Më 15 janar 2018 u nënshkrua kontrata ndërmjet NOA Energy dhe KOST-it, përfaqësuar nga Kadri Kadriu. Më 9 maj 2019 u nënshkrua kontrata ndërmjet KEK dhe NOA, nënshkruar nga Gentian Skendersula dhe Njazi Thaçi. Kjo kontratë skadoi e më 11 shtator 2021 kontrata e re u nënshkrua nga Përparim Kabashi, katër ditë para ardhjes së Nagip Krasniqit në krye të KEK-ut”, ka thënë ai.
Muja tutje ka dhënë detaje tjera që kanë të bëjnë me sektorin energjetik.
Për këto deklarata Shpend Ahmeti ka kërkuar më shumë sqarime
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me debatin politik për importin e energjisë elektrike dhe raportet me Serbinë, duke theksuar se diskutimi publik po zhvillohet mbi premisa të paqarta dhe të përziera, gjë që, sipas tij, po e bëjnë debatin të pasinqertë dhe jo të dobishëm.
Ahmeti thekson se aktualisht po trajtohen si një çështje e vetme tri tema që në fakt janë të ndryshme dhe që duhen ndarë qartë për të kuptuar saktë se për çfarë po diskutohet:
- Origjina e energjisë – vendi ku prodhohet rryma që blihet.
- Tregtuesi i energjisë (traderi) – kompania nga e cila blihet rryma, pavarësisht se ku prodhohet ajo.
- Rruga e furnizimit – fakti se për shkak të interkoneksioneve, një pjesë e energjisë kalon përmes rrjetit të Serbisë, çka është teknikisht e pashmangshme.
Ai u bëri thirrje partive politike dhe analistëve që të sqarojnë se për cilën prej këtyre çështjeve flasin kur akuzojnë njëra-tjetrën për blerjen e energjisë nga Serbia, duke vlerësuar se ndryshe, debati shndërrohet në manipulim për përfitime elektorale, përcjell Telegrafi.
Ahmeti theksoi se, për të, më shumë rëndësi ka aspekti i sigurisë afatgjatë të furnizimit dhe, mbi të gjitha, kostoja për qytetarët dhe bizneset. Ai paralajmëroi se çmimi i energjisë është faktor kyç në buxhetet e familjeve dhe në mbijetesën e bizneseve.
Sipas tij, debati real duhet të fokusohet te mosfunksionimi i kapaciteteve energjetike, vonesat në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe ndaljet e njësive ekzistuese, të cilat kanë rritur varësinë nga importi dhe, rrjedhimisht, faturën për qytetarët.
“Nëse duam debat të sinqertë, duhet të flasim për kapacitetet energjetike dhe koston reale që e paguan secili prej nesh – e jo për debate emocionale që nuk ofrojnë zgjidhje”, ka përfunduar Ahmeti.
/Telegrafi