Kurti: Po punojmë që të krijojmë një sektor të energjisë të sigurt, inovativ, të integruar, e efiçient
March 29, 2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ka thënë se në sektorin e energjisë kanë bërë hapa tejet të rëndësishëm dhe historik drejt tranzicionit të drejtë energjetik që është edhe kryefjala e Strategjisë sonë Energjetike 2022-2031.
Me anë të një postimi në Facebook, u shpreh se është punuar për zgjidhje afatgjate, duke siguruar, siç tha ai, 700 milionë euro investime në këtë sektor.
“Po punojmë që të krijojmë një sektor të energjisë të sigurt, inovativ, të integruar, e efiçient.”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se për një sektor të sigurt, po ndërtohen kapacitete të reja e po investohet në ato ekzistueset për t’u siguruar që prodhojmë më shumë e ndotin më pak.
“Kemi përmbyllur me sukses procesin e ofertimit duke pranuar 6 oferta (nga korporata, nga Franca, Turqia, Egjipti, Gjermania, Kosova dhe Zvicra) për Ankandin e parë për energji solare me kapacitet 100 MË. Të premten, do të shpallet fituesi për ndërtimin e këtij centralit fotovoltaik. Ndërkohë, kemi nënshkruar marrëveshjen me IFC e po bëjmë përgatitjet për ankandin e radhës i cili do të jetë për energji të erës me kapacitet 150 MW.”, ka shkruar kryeministri.
Ndër të tjera, ai tha se këto janë vetëm dy projektet e para të pakos investive të burimeve të ripërtërishme të energjisë ku në total parashihen kapacitete prej 950 MË e në vlerë prej 1.2 miliard euro.
“Të gjitha këto përmes proceseve konkurruese e transparente që tërheqin investitorë me renome botërore.”, shkroi mes të tjerash ai.
Ai përmendi edhe ndërtimin e impiantit solar për ngrohje termike.
“Për një sektor inovativ, po zhvillojmë projekte të cilat na vendosin në hap të parë të zhvillimeve energjetike në botë. Në mesin e tyre, po ndërtojmë impiantin solar për ngrohje prej 50 MË termike, ndër më të mëdhenjtë në Evropë, me mbështetje të BE-së, KfË dhe BERZh-it. Nënshkruam marrëveshje në vlerë 236.7 milionë dollarë me MCC-në amerikane për bateritë. Këto janë kapacitetet e ruajtjes së energjisë më të mëdha për kokë banori në Evropë. Së fundmi, themeluam ndërmarrjen publike Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE) përgjegjëse për menaxhimin e 125 MË të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri. 45 MË tjera të baterive do t’i menaxhojë KOSTT-i për balancim të sistemit.”, ka shkruar mes të tjerash shefi i ekzekutivit.
Më tej, kryeministri Kurti përmendi edhe subvencionimin e kursimit të energjisë.
“Për një sektor efiçient, përmes masave dhe politikave tona kemi nxitur uljen e konsumit të rrymës duke subvencionuar kursimin e saj, dhe rritur efiçiencën përmes masave mbështetëse për pajisje elektrike dhe të ngrohjes. Mbi 30 mijë familje e biznese u subvencionuan për blerjen e pajisjeve efiçiente. Rezultatet janë të menjëhershme. Familjet përfituese të vitit 2022 shpenzuan në mesatare 19% më pak energji elektrike në dimrin pasues. Bëmë rinovimin për ngritje të efiçiencës të 112 objekteve publike në mbi njëzet komuna, nga të cilat përfitojnë direkt mbi 60 mijë qytetarë, përfshirë kopshte të fëmijëve, shkolla, shtëpi shëndeti e stacione të zjarrfikësve, etj. Gjatë dimrit 2023-2024, mbi 208 mijë familje kursimtare kanë përfituar nga subvencionimi i faturave të energjisë. E të gjitha familjet e bizneset e vendit janë subvencionuar në fatura për t’i mbrojtur nga rritja e tarifave.”, ka shtuar ai.
Kurti tha se ngrohtorja e Qytetit të Gjakovës me biomasë të inauguruar në vitin 2021 e cila është ngrohtorja e parë me biomasë në vend, e kemi përkrahur financiarisht çdo vit në mënyrë që qytetarët dhe ndërtesat publike si Spitali i Përgjithshëm “Isa Greza” të kenë ngrohje cilësore me çmime të përballueshme.
“Investimet në energji ecin krah për krah me teknologjinë dhe inovacionin. Tashmë kemi 100% mbulueshmëri të zonave të banuara me internet të shpejtë, gjë që vendosë Kosovën në top 8 shtetet Evropiane, krahas Zvicrës e Shteteve Skandinave.”, njoftoi Kurti.
Kurti theksoi edhe transformimin e Telekomit të Kosovës.
“Janë ndarë frekuencat për rrjetin 5G. Telekomi i Kosovës po investon dhe po modernizon teknologjinë e saj gjithandej vendit duke shtrirë për herë të parë rrjetin edhe në katër komunat veriore të vendit. Deri në fund të këtij viti do të kemi mbuluar 65% të vendit me 5G. Telekomi i Kosovës ka modernizuar rrjetin e rezultatet janë të prekshme për qytetarët në rajonet e Gjilanit, Ferizajt, Vushtrrisë e Mitrovicës.”, tha ai.
“Përmes projektit KODE, me vlerë 10 milionë euro, mjekë, infermierë, arsimtarë e nxënës në mbi 100 shkolla e 43 institucione shëndetësore tashmë kanë qasje në internet të shpejtë pa pagesë. Kemi trajnuar mbi 3,000 të rinj në 23 module trajnimi në shtatë rajonet e vendit, e mbi 60% prej tyre tashmë janë punësuar.”, shtoi kryeministri Kurti.
Ai tha se kanë përfunduar Parkun e Teknologjisë Digjitale në Prishtinë.
“Po investojmë në infrastrukturën dhe zhvillimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren. Aty kemi themeluar Qendrën për Ekselencë Digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, Qendra e të Dhënave të Rrjetit Kombëtar për Kërkim dhe Edukim të Kosovës (KREN), si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e Teknologjisë. E në Rrjetin Kosovar për Edukim dhe Hulumtim kemi lidhur të gjitha Universitetet Publike dhe Private si dhe 100 shkolla të mesme e fillore.”, përfundoi kryeministri Kurti.
/Arbresh.info