Search

Kryeziu: Projekti i gazit u refuzua, do të ishte ura e tranzicionit energjetik për vendin

October 10, 2022


Ekspertë të sektorit të energjisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile ishin të ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova për të diskutuar mbi gjendjen aktuale dhe zhvillimet në sektorin e energjisë në vend.

Në qendër të vëmendjes ishte pakoja e subvencionimit të efiçiencës së energjisë që u prezantua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Shumë nga panelistët e mirëpritën vendimin, megjithatë të gjithë ranë dakord se shuma e subvencionit është mjaft e vogël për të pasur një ndikim të rëndësishëm duke pasur parasysh se vendi përballet me efektet e krizës energjetike në muajt e ardhshëm të dimrit, duke e etiketuar nismën “si të vonshme”.

Laura Kryeziu, ish-anëtare e bordit në Fondacionin e Mijëvjecarit të Kosovës (MFK), diskutoi draft strategjinë aktuale të vendit për energjinë, si dhe udhëtimin e trazuar të vendit që në fund duket se nuk e çoi askund në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë me qymyr.

Ajo theksoi se tashmë vendi lëngon për një projekt të paarritshëm, duke pasur parasysh zhvillimet globale dhe ndryshimet në aspektin e zhvillimit të kapaciteteve të thëngjillit.

Ejupi: Me 6 milion investim në efiçencë shteti po fiton 12 milion, po me 60 milion?

Lexo më shumë

Ndonëse u tregua e kujdesshme të nënvizonte se nuk fajëson vetëm këtë qeveri për dështimin e zhvillimit të kapaciteteve të reja të qymyrit, ajo diskutoi edhe vendimin e qeverisë aktuale për refuzimin e projektit të gazit.

Ajo tha se qeveria duhet të japë një arsye të saktë pse vendosi të refuzojë projektin e gazit, i cili sipas saj do të adresonte dhe do të mundësonte tranzicionin energjetik të Kosovës.

“Në politikat e përgjithshme të zhvillimit të sektorit të energjisë jemi në pritje shumë të gjatë të një strategjie të re të energjisë, për atë që kemi parë deri më tani shtyllat kryesore të cilat e mbajnë këtë strategji janë BRE dhe eficiensa”, tha Kryeziu.

“Këto janë shumë të mirëseardhura, mirëpo nuk besoj që janë në kontekst vendor dhe nuk e adresojnë daljen nga kriza të adresimit të problemit të gjenerimit të cilin ne e kemi me vite të tëra”, tha ajo.

“Rrugëtimi prej Kosova C deri tek Kosova e Re, pastaj tani më me refuzimin e projektit të gazit, dhe këtë nuk ja ngarkojë natyrisht vetëm qeverisë së tashme”, theksoi ajo.

“Mirëpo qoftëse e shiqojmë rrugëtimin prej ‘Kosova e Re’, në vitin 2007 kishim gjigantët botërorë të cilët paraqiten interesin e tyre që të ndërtohet një termocentral prej 2100MW me thëngjill”, nënvizoi ajo.

“Natyrisht që ka pasur shumë kritka, por ka qenë koha e vetme kur Kosova ka mundur të bëjë një intervenim të tillë dhe të adresojë sektorin e energjisë sepse e dijmë shumë mirë pastaj politikat kundër emitimit të karbonit sidomos me ardhjen e Obamës në pushtet, dhe me politikat e BE”, tha ajo ndër të tjera.

“Kosova pastaj me ndryshimin e këtij projekti me uljen e kapaciteteve të këtij projekti, me kalimin në ‘Kosova e Re’, me selektimin e kompanive të cilat nuk kishin referenca të kapaciteteve të tyre, apo ishin konsorciume të cilat nuk do të mund të bartnin një projekt të tillë, atëherë ne kishim vetëm një prolongim të gjenerimit me resursin bazë të cilin e kemi, që për një kohë ishte lejuar të përdoret”, tha ajo.

“Mirëpo, tani gjendemi në një pozit tepër kritike, ku është me rëndësi të ceket refuzimi i projektit të gazit që ka qenë urë lidhsja kryesore për dekarbonizimin e shtetit”, tha Kryeziu.

“Prap nuk kemi ndonjë arsyetim të saktë nga qeveria pse cka ndodhi dhe pse është refuzuar një projekt i tillë, i cili do të adresonte dhe do të mundësonte tranzicionin energjetik në Kosovë”, tha ajo.